Ish-drejtues të policisë dhe përfaqësues politikë pretendojnë se ish-presidenti Aleksandër Vuçiç po shqyrtonte kundërshtimin me forcë të rezultatit të zgjedhjeve të së dielës në Serbi. Sipas raportimit të “The Times”, situata ndryshoi pasi Vuçiç pranoi humbjen dhe grupet e personave të veshur me të zeza u larguan nga qendra e Beogradit.
Sipas raportimit, rezultati i Listës Studentore, e cila siguroi rreth 500 mijë vota më shumë, si dhe telefonatat që i kërkonin presidentit të mos kundërshtonte rezultatin, ndikuan në zhvillimet e asaj mbrëmjeje.
Spasoje Vuleviç, ish-drejtues i njësisë antiterroriste të Serbisë, pretendon se në qendër të Beogradit ishin dislokuar rreth 4 mijë efektivë policie dhe 3 mijë persona që ai i përshkruan si mbështetës të dhunshëm të pushtetit.
Vuleviç tha për “The Times” se ishte i bindur që Vuçiçi kishte menduar të mos e pranonte rezultatin zgjedhor.
Edhe Sandro Gozi, deputet i Parlamentit Europian dhe drejtues i Partisë Demokratike Europiane, deklaroi se gjatë ditës së zgjedhjeve kishin mbërritur informacione shqetësuese nga burime diplomatike për mundësinë e një përpjekjeje për të mbajtur pushtetin me forcë.
Radomir Saiçiç, një prej kandidatëve kryesorë të Listës Studentore, pretendoi gjithashtu se ekzistonte një skenar për të përmbysur rezultatin nëse diferenca mes palëve do të ishte e ngushtë. Sipas tij, nxitja e përplasjeve mund të përdorej më pas si argument për të kërkuar anulimin e zgjedhjeve.
Ora 21:30, momenti kur ndryshoi situata
Sipas “The Times”, rreth orës 21:30, afërsisht një orë e gjysmë pas mbylljes së qendrave të votimit, Vuçiçi pranoi humbjen. Në të njëjtën kohë, grupet e personave të veshur me të zeza, të cilët ishin parë në qendër të Beogradit, u larguan nga zona.
Në kryeqytetin serb qarkulluan më pas pretendime të pakonfirmuara se presidenti ishte bindur të tërhiqej pas ndërhyrjeve nga jashtë. Mes emrave të përmendur në këto spekulime ishte edhe kryeministri hungarez Viktor Orbán.
Vuleviç tha se besonte që Vuçiçi kishte marrë telefonata nga qeveri europiane, në nivel të lartë politik. Megjithatë, nuk është konfirmuar se cilët liderë mund ta kenë kontaktuar presidentin serb dhe nëse këto telefonata ndikuan drejtpërdrejt në vendimin e tij.
Zëdhënësja e Vuçiçit i ka kundërshtuar pretendimet se prania e shtuar e policisë në Beograd lidhej me një plan për të mbajtur pushtetin me forcë. Sipas saj, forcat e rendit ishin dislokuar për të parandaluar dhunën e mundshme nga protestuesit.