Në një aksion policor të zhvilluar sot në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, janë arrestuar tetë persona nën dyshimet për veprime të paligjshme që lidhen me operacionet e syve. Në mesin e të dyshuarve ka edhe ish-funksionarë dhe funksionarë aktualë të Fondit për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë së Veriut.

Aksioni është realizuar nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Gjatë kontrolleve në disa lokacione në Shkup dhe nga një lokacion në Tetovë e Kumanovë, policia ka sekuestruar para në vlerë prej rreth 50 mijë eurosh dhe telefona celularë.

MPB-ja njofton se ndaj 11 personave fizikë, përfshirë një shtetas shqiptar, si dhe ndaj një personi juridik, është ngritur kallëzim penal për vepra të ndryshme penale.

Të dyshuarit ngarkohen, varësisht nga roli i tyre, për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, punë të pakujdesshme në shërbim, falsifikim ose shkatërrim të librave afaristë, mashtrim në shërbim dhe pastrim parash e të ardhurash të tjera nga vepra penale.

Sipas kallëzimit penal, dy ish-drejtorë të Fondit për Sigurim Shëndetësor, në vitin 2020, së bashku me një përfaqësues të një institucioni privat shëndetësor, dyshohet se kanë lidhur një marrëveshje në kundërshtim me procedurat e përcaktuara dhe aktet e brendshme të Fondit. Për parregullsi gjatë miratimit të marrëveshjes dyshohet edhe kryetari i Bordit Drejtues.

Dyshohet për faturim të dyfishtë të operacioneve të syve

Sipas MPB-së, në bazë të kësaj marrëveshjeje, institucioni privat shëndetësor dyshohet se ka përfituar pagesa për të njëjtat shërbime si nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, ashtu edhe nga pacientët, përmes futjes së të dhënave të pavërteta në sistemin elektronik të Fondit dhe përgatitjes së faturave me përmbajtje të rreme.
Pacientëve, përveç pjesëmarrjes së detyrueshme ligjore në shpenzime, dyshohet se u është kërkuar të paguajnë edhe çmimin e plotë privat për operacionet. Në këtë mënyrë, atyre u është fshehur fakti se shërbimet po paguheshin edhe nga Fondi.

Drejtori i sektorit për kontroll dyshohet se nuk i ka dorëzuar raportet për parregullsitë e konstatuara te komisioni kompetent dhe ka shtyrë kryerjen e kontrolleve të rregullta. Sipas dyshimeve, kjo ka shmangur shqiptimin e gjobave shtesë kontraktuale dhe mundësinë e ndërprerjes së marrëveshjes.

Ndërkaq, dy udhëheqëse të shërbimit rajonal të Fondit në Shkup dyshohet se nuk kanë ndjekur arkëtimin e gjobave të shqiptuara dhe nuk i kanë njoftuar shërbimet kompetente, duke mundësuar vazhdimin e pagesave ndaj institucionit shëndetësor pa zbritjen e borxheve.

Dëmi i dyshuar arrin në mbi 4 milionë euro

Sipas kallëzimit penal, dëmi i shkaktuar buxhetit të Fondit për Sigurim Shëndetësor arrin në 104.818.754 denarë, ose rreth 1,7 milionë euro, për pagesat e kryera në bazë të faturave fiktive. Përveç kësaj, dyshohet se nuk janë arkëtuar edhe 525.000 denarë nga gjobat kontraktuale.

MPB-ja bën të ditur se ekzistojnë dyshime se gjatë periudhës 2022–2025, institucioni privat shëndetësor ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 261.271.961 denarë, ose rreth 4,25 milionë euro.

Gjithashtu, dyshohet se paratë e paguara nga Fondi, për të cilat personat përgjegjës në institucionin shëndetësor e dinin se buronin nga vepra penale, janë futur në qarkullimin financiar, janë regjistruar në kategori të ndryshme kontabël dhe janë përdorur për paga, furnizime dhe pagesa të tjera.

Sipas MPB-së, nga faturimi i dyfishtë dyshohet se janë dëmtuar nga 3.000 deri në 4.000 pacientë.