Saranda Imeri ngre pyetje për meritokracinë: A ia zuri bashkëshortja e Taravarit vendin kandidates me notë mesatare 9.44 në UNT?
Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, ka ngritur pikëpyetje lidhur me punësimin e Nora Taravarit, bashkëshortes së kreut të ASH-së, Arben Taravari, në Universitetin e Tetovës.
“Vazhdon saga e punësimit të bashkëshortes së Taravarit”, shkruan Imeri Stafai, duke iu referuar ankesës së një kandidateje tjetër, e cila kishte konkurruar për të njëjtin vend pune dhe ankesa e së cilës është publikuar në buletinin zyrtar të UNT-së.
Sipas të dhënave të paraqitura në ankesë, kandidatja kishte notë mesatare 9.44 në të tri ciklet e studimeve, 22 vite përvojë pune në fushën përkatëse dhe mbi 21 publikime shkencore.
Deputetja ka vënë në pikëpyetje edhe përbërjen e komisionit recensues, duke iu referuar nenit 173 të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe pretendimit se dy nga anëtarët duhej të vinin nga fusha përkatëse, në këtë rast shkencat politike.
Në reagimin e saj, Imeri Stafai thekson se Nora Taravari ka përfunduar studimet në qershor të vitit 2026 dhe, sipas saj, nuk ka pasur përvojë të mëparshme universitare.
Ajo kritikon edhe raportin e komisionit për mungesë të sqarimeve bindëse lidhur me arsyet e përzgjedhjes së Nora Taravarit dhe vlerësimin e kandidatëve të tjerë.
Në fund, deputetja e VLEN-it e lidh këtë rast me deklaratat e Arben Taravarit për meritokracinë dhe parimet, duke e përmbyllur reagimin me fjalët: “Kaq për meritokracinë. Kaq për parimet.”