SPAK ka zgjeruar hetimet për dosjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ku në fokus janë 11 procedura tenderimi për projekte infrastrukturore dhe punime publike. Në listën e procedurave ku janë evidentuar shkelje përfshihen disa prej investimeve të rëndësishme rrugore në vend, mes tyre Tuneli i Llogarasë, Unaza e Jashtme e Tiranës dhe aksi Porto Romano-Durrës.

Sipas dokumentacionit të çështjes, tenderat e dyshuar për shkelje përfshijnë ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, Unazën e Jashtme të Tiranës, lotet 4, 5, 6 dhe 7, si dhe projektet për lidhjen e Sheshit Shqiponja me Bulevardin e Ri dhe lumin e Tiranës.

Në listë janë edhe tenderi për ndërtimin e segmentit Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2, punimet për segmentin Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri-Shkozë dhe urat mbi lumin e Tiranës, si dhe rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol.

Një tjetër pjesë e hetimit lidhet me projektet në zonën e Porto Romanos në Durrës, përfshirë plotësimin e punimeve të mbetura në aksin Porto Romano-Durrës, Loti 3, Loti 1, Kontrata A, si dhe supervizimin dhe mirëmbajtjen me performancë të akseve kryesore të Rajonit Verior.

Në kuadër të kësaj dosjeje janë marrë të pandehur 31 persona fizikë dhe juridikë. Në listë përfshihen ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ish-drejtuesi i ARRSH-së Evis Berberi, si dhe zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë të administratës publike.

Mes personave të marrë të pandehur janë Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi, Mirzeta Kashnica, Jonida Çeçe, Ardian Kroi, Denis Xhoxhi, Klarita Konomi, Miranda Shkurti, Genti Raça, Eduart Agalliu, Arbër Troka, Dhurata Lazaj, Nikollaq Mihali, Gëzim Noni dhe Arlinda Gordani.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume