Deputetja e partisë E Majta, Jovana Mojsoska, gjatë debatit për ribalancimin e Buxhetit, akuzoi shumicën qeverisëse se po refuzon të sigurojë mjete për rritjen e subvencionit për ushqimin e studentëve, ndërsa në të njëjtën kohë shpenzon afro një milion euro për mbështetje teknike të ngjarjeve qeveritare.

Sipas saj, E Majta ka dorëzuar amendament me të cilin kërkon 4,9 milionë euro shtesë për rritjen e subvencionit të ushqimit studentor, i cili prej tre vitesh mbetet në nivelin prej 140 denarësh në ditë, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe kostos së jetesës.

“DPMNE sillet sikur është ende në opozitë, duke kërkuar justifikime dhe duke ua hedhur përgjegjësinë të tjerëve për problemet e pazgjidhura, ndonëse sot është pikërisht ajo që ka pushtetin dhe përgjegjësinë për t’i zgjidhur. Në vend që ta përmbushë obligimin ligjor dhe të sigurojë një subvencion më të lartë për studentët, vazhdon të fshihet pas arsyetimeve”, deklaroi Mojsoska.

Ajo theksoi se problemi nuk qëndron te nevoja për një model të ri të ushqimit studentor, siç ka paralajmëruar ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, por te mosrespektimi i ligjit ekzistues. Sipas saj, ligji parasheh që shuma e subvencionit të harmonizohet me inflacionin pas çdo viti fiskal dhe para miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm.

“Po debatojmë sot në Kuvend për zbatimin e një ligji që tashmë është në fuqi? Studentëve nuk u duhen debate dhe takime me ministren, por respektimi i ligjit. Takimet tuaja me studentët nuk do t’ua kthejnë atë që u është mohuar për dy vjet me radhë”, tha Mojsoska.

Sipas përllogaritjeve të partisë E Majta, studentët gjatë tre viteve të fundit janë dëmtuar për rreth 6,5 milionë euro për shkak të mosrritjes së subvencionit në përputhje me inflacionin.

Mojsoska hodhi poshtë edhe argumentin se udhëheqjet e mëparshme studentore kanë kërkuar zgjerimin e numrit të përfituesve në vend të rritjes së shumës, duke theksuar se këto politika nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Ajo kritikoi edhe shpenzimet e Qeverisë për aktivitete dhe ngjarje zyrtare, duke përmendur një tender të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, të udhëhequr nga Igor Janušev, me vlerë afro një milion euro për marrjen me qira dhe mbështetjen teknike të pajisjeve për ngjarje qeveritare.

“Kur bëhet fjalë për furnizime qeveritare, ka para. Keni para për skena, video-mure dhe efekte ndriçimi, por studentëve do t’ua numëroni kafshatat”, deklaroi Mojsoska.

Ajo reagoi ashpër edhe ndaj përpjekjeve për të kontrolluar mënyrën se si studentët i shpenzojnë mjetet nga subvencioni i ushqimit, ndërkohë që Qeveria refuzon ta rrisë atë në përputhje me rritjen e çmimeve.

“Të rinjtë nuk mbahen në këtë shtet me video-mure dhe konferenca të shtrenjta për shtyp, por me standard jetese dinjitoz, pa ua numëruar kafshatat”, theksoi Mojsoska.

Nga E Majta vlerësojnë se deklaratat politike për mbështetjen e të rinjve nuk kanë vlerë nëse nuk shoqërohen me masa konkrete dhe mbështetje buxhetore, ndërsa refuzimi i amendamentit, sipas tyre, tregon se DPMNE vazhdon të sillet si opozitë edhe pse është në pushtet.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume