Boshti mes Viktor Orbanit, Aleksandar Vuçiqit dhe Hristijan Mickoskit nuk është aspak i ri dhe ekziston që nga koha kur Mickoski ishte në opozitë. Sipas kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, Mickoski erdhi në pushtet falë ndihmës së Orbanit dhe Vuçiqit, përmes mediave dhe mbështetjes financiare.

Në një videointervistë për „Fokus”, Filipçe komentoi qëndrimin e partisë së tij, të cilin e kanë përsëritur disa herë gjatë kësaj jave pas zhvillimeve zgjedhore në Serbi, se pas rënies së Orbanit dhe Vuçiqit, radha do të jetë e kryeministrit maqedonas.

„Boshti mes tyre nuk është i ri. Kjo ka ndodhur që kur Mickoski ishte në opozitë. Praktikisht, falë ndihmës së tyre, si të Orbanit ashtu edhe të Vuçiqit, përmes mediave dhe financiarisht, ai erdhi në pushtet. Dhe ne nuk po flasim vetëm tani, por për këtë kemi paralajmëruar gjatë dy viteve të fundit. Gjithçka për të cilën kemi paralajmëruar doli të ishte e vërtetë”, deklaroi Filipçe.

Ai përmendi disa çështje për të cilat, sipas tij, LSDM-ja kishte paralajmëruar më herët, duke nisur nga kredia e madhe e marrë përmes Hungarisë, për të cilën pretendon se në fakt bëhet fjalë për para kineze.

„Të parët folëm për natyrën e kredisë së madhe që morëm përmes Hungarisë, e cila në të vërtetë përbëhet nga para kineze. Ja, tani kryeministri i ri hungarez ka nisur një hetim për të zbuluar se kush dhe në çfarë mënyre ka marrë komisionet e mëdha nga kjo marrëveshje. Është e qartë se kjo çështje sapo ka filluar të zbardhet”, tha Filipçe.

Ai kritikoi gjithashtu prioritetin që, sipas tij, Qeveria i ka dhënë hekurudhës së Korridorit 10 në raport me Korridorin 8. Filipçe pretendon se pushteti i Mickoskit e kishte ndalur praktikisht realizimin e Korridorit 8, ndonëse ai ishte prioritet evropian dhe i NATO-s, ndërsa ndërkohë vendi humbi 40 milionë euro grant nga Evropa.

Duke folur për ndikimin mediatik, Filipçe pretendoi se rreth 40 për qind e portaleve dhe një televizion në vend janë në pronësi të personave të afërt me ish-kryeministrin hungarez. Ndërsa, sa i përket Serbisë, ai ngriti çështjen e hyrjes së mediave serbe që, sipas tij, nuk ishin të regjistruara, por kishin marrë licenca për të operuar në Maqedoninë e Veriut.

„A ka dëshmi më të madhe se fakti që në vendin tonë hynë media serbe të paregjistruara, të cilat morën licenca për punë? Ky është një shkelje kaq e madhe, të cilën ky pushtet është i detyruar ta bëjë për shkak të koncesioneve të mëdha që ka ndaj këtyre dy personave”, pretendoi Filipçe.

Kreu i LSDM-së foli edhe për arsyet që, sipas tij, çuan në rezultatin e dobët zgjedhor të partisë, e cila kishte qëndruar shtatë vjet në pushtet dhe kishte ardhur në qeverisje me pritshmëri të mëdha nga qytetarët.

Ai tha se partia ka bërë një analizë të rezultateve, e cila tregon se pritshmëritë e qytetarëve janë përmbushur vetëm pjesërisht. Përgjegjësinë kryesore për humbjen zgjedhore Filipçe ia atribuoi drejtuesve të Platformës „12.05”, të cilët i cilësoi si fajtorët kryesorë për politikat dhe vendimet e gabuara të periudhës së kaluar.

„Ne i fituam zgjedhjet në vitin 2020, ndërsa në vitin 2021 i humbëm me një diferencë minimale. Më pas, në parti erdhi një grup i vogël njerëzish, të cilët praktikisht e pushtuan atë dhe sot janë të izoluar në një të ashtuquajtur platformë. Ky grup lejoi që të ndodhnin politika dhe vendime katastrofike.

Pikërisht ky grup është përgjegjës për ndryshimet në Kodin Penal, për propozimin francez, pasojat e të cilit po i vuajmë tani, si dhe për rritjen e pagave të funksionarëve. Kjo ishte diçka që absolutisht nuk duhej të ndodhte në vitet 2023 dhe 2024”, theksoi Filipçe.

Në fund, ai pranoi se premtimet ndaj qytetarëve nuk janë përmbushur, duke shtuar se kjo duhet të shërbejë si mësim për udhëheqjen e re të partisë socialdemokrate.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume