Kandidatja për presidente të Bullgarisë, Ilijana Jotova, deklaroi gjatë debatit parazgjedhor në Televizionin Kombëtar Bullgar se nuk do të ketë asnjë lëshim ndaj Shkupit, pavarësisht përpjekjeve, siç tha ajo, për të lënë mënjanë disa nga protokollet e dakorduara.

Sipas Jotovës, pozicioni bullgar në vitin 2022 u shpëtua në momentin e fundit falë ndërhyrjes së presidentit të atëhershëm dhe kryeministrit aktual bullgar, Rumen Radev. Ajo akuzoi ish-kryeministrin Kiril Petkov se kishte dashur të dorëzonte qëndrimin bullgar, i cili, sipas saj, u shpëtua në minutën e fundit.

„Në mua shihni një person që nuk do të tërhiqet asnjë centimetër nga ajo që është dakorduar. Pavarësisht përpjekjeve shumë serioze të Shkupit për të lënë mënjanë disa protokolle. Ministri i Punëve të Jashtme i qeverisë suaj të atëhershme nuk dilte nga kabineti i zotit Radev, në mënyrë që të gjithë të punonim së bashku për propozimin francez, ashtu siç punuam edhe me shumë kolegë nga kabineti i presidentit francez, Emmanuel Macron. Zoti Petkov ishte me mua në Shkup dhe unë mund të dëshmoj personalisht se sa pranë ishte momenti që ai ta shiste pozicionin bullgar”, deklaroi Jotova.

Nga ana tjetër, kundërkandidati i saj, Andrej Gurov, ish-kryeministër i qeverisë teknike në Bullgari dhe ish-kryetar i grupit parlamentar të partisë „Vazhdojmë me Ndryshimin” gjatë kohës së qeverisjes së Petkovit, tha se qeveria e atëhershme ishte përballur me sulme dhe akuza për tradhti ndaj interesave bullgare. Ai theksoi se sot të gjitha partitë në Bullgari e mbështesin propozimin francez.

„Atëherë përjetuam shumë sulme dhe akuza se po tradhtonim interesin bullgar. Tani, kur tashmë e kemi marrëveshjen franceze, pas përfundimit të procesit të gjithë partitë, edhe në Parlamentin Evropian, ndërsa tani dëgjojmë edhe zonjën Jotova, e mbështesin pa rezerva dhe thonë se kjo është një zgjidhje e mirë për Bullgarinë. Faktet janë se sot kemi një marrëveshje që e mbështesin të gjithë, përfshirë edhe ata që atëherë e sulmonin”, deklaroi Gurov.

Ish-kryeministri bullgar Kiril Petkov iu kundërpërgjigj Jotovës duke paralajmëruar padi. Ai e akuzoi kandidaten se po përdor deklarata të pavërteta gjatë fushatës zgjedhore dhe bëri të ditur se tashmë është konsultuar me një ekip juridik për përgatitjen e padisë.

„Gjatë qeverisjes sime arritëm që pozicioni bullgar për Maqedoninë e Veriut të bëhej pozicion i përbashkët i të gjithë Bashkimit Evropian. Zonja Jotova u përpoq ta paraqiste këtë sukses të padiskutueshëm bullgar si tradhti kombëtare. Kjo është një gënjeshtër që mund të dëshmohet lehtësisht”, deklaroi Petkov.

Ndërkohë, Jotova vlerësoi se edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë nuk ka pasur përmirësim të marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Si probleme kryesore ajo përmendi atë që e cilësoi si gjuhë të urrejtjes dhe sulme ndaj personave me prejardhje bullgare.

Në këtë kontekst, ajo përmendi rastin e Hristijan Pendikovit, ndërsa nuk e përmendi rastin e Iva Mihajlovës.

Ilijana Jotova dhe Andrej Gurov pritet të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Bullgari, të dielën, më 1 nëntor.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume