Vrasja e shqiptarit në Itali, autori rrëfen se si e kreu krimin: E qëllova 3 herë për borxhin e drogës
Daniele Sartini, 29 vjeç, banues në Longiano, ka pranuar se ka qëlluar për vdekje shqiptarin, trupi i të cilit u gjet më 28 tetor në një pus në zonën Felloniche të Longianos, në provincën e Çezenës. Sipas hetimeve, motivi i krimit ishte një borxh prej 1500 eurosh për drogë që 29-vjeçari i kishte viktimës.
Prokurori i Forlit, Enrico Cieri, bëri të ditur se Sartini ka dhënë një rrëfim të plotë, duke sqaruar rrethanat e vrasjes dhe përpjekjet e tij për të fshehur gjurmët.
“Daniele Sartini ka dhënë një rrëfim të plotë që sqaron çdo aspekt të çështjes. Ai e fshehu trupin për të mos u gjetur dhe u përpoq të zhdukte çdo gjurmë që mund ta lidhte me zhdukjen e këtij personi”, deklaroi prokurori.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, krimi ka ndodhur më 7 tetor, plot 21 ditë përpara zbulimit të trupit.
Atë mbrëmje, Sartini dhe Denaldo Maxhalaku ishin takuar përpara banesës së 29-vjeçarit në Longiano, për të diskutuar lidhur me një borxh prej 1500 eurosh për drogë. Shqiptari kërkonte me ngulm paratë, ndërsa debati mes tyre dyshohet se është përshkallëzuar.
Në atë moment, Sartini, i cili ndodhej vetëm në banesë, hyri brenda dhe mori një pistoletë të tipit Glock, kalibër 40. Më pas qëlloi tri herë në gjoks 31-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në vend.
Gjatë marrjes në pyetje nga karabinierët, 29-vjeçari ka pranuar autorësinë e krimit me fjalët: “Isha unë”. Përpara hetuesve, ai është justifikuar duke deklaruar: “Kisha frikë për veten dhe familjen time, u ndjeva i kërcënuar”.
Pas vrasjes, Sartini dyshohet se e ngarkoi trupin e Maxhalakut në automjet dhe e transportoi drejt një zone fushore, ku e fshehu në një pus betoni, i përdorur për kullimin e ujërave. Në përpjekje për të zhdukur gjurmët, ai dyshohet se i vuri flakën edhe makinës së viktimës.
Hetimet, të drejtuara nga komandanti i karabinierëve të Forlit, Michele Trecca, çuan te identifikimi i 29-vjeçarit përmes analizimit të tabulateve telefonike. Nga verifikimet rezultoi se Sartini ishte personi i fundit që kishte pasur kontakte me shqiptarin përpara zhdukjes së tij.
Pas rrëfimit, Sartini është dërguar në burgun e Forlit, ku ndodhet nën masën e ndalimit. Ai akuzohet për vrasje dhe fshehje të kufomës.
Tashmë pritet që gjyqtari i hetimeve paraprake të vendosë për vleftësimin e ndalimit, ndërsa prokuroria do të kërkojë masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ndërkohë, autoritetet kanë sekuestruar armën e zjarrit dhe veshjet e të dyshuarit, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizave. Autopsia e trupit të 31-vjeçarit shqiptar pritet të kryhet në ditët në vijim.
Bashkëshortja e viktimës, e cila kishte denoncuar zyrtarisht zhdukjen e tij, përfaqësohet nga avokati Raffaele Pacifico.