Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur pranë Zagrebit, ku një veturë luksoze Bugatti Chiron, në vlerë prej rreth dy milionë eurosh, është vjedhur nga një objekt i kompanisë së prodhuesit të veturave luksoze Bugatti.

Vetura i përket drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Mate Rimac, i cili ka treguar përmes një videoje të publikuar në Instagram se si ndodhi vjedhja dhe si arriti të rikuperohej automjeti.

Sipas tij, hajduti kishte arritur ta merrte veturën pasi ai kishte lënë çelësat brenda, një praktikë që e kishte ndjekur për vite me radhë.

Pasi e kuptoi se vetura ishte vjedhur, Rimac u vu në ndjekje të hajdutit me një Porsche 911, ndërsa përdori edhe sistemin e gjurmimit të Bugattit për të përcjellë lëvizjet e tij.

Ai njoftoi policinë se vetura po lëvizte në drejtim të Sllovenisë. Falë informacioneve të ndara nga Rimac me autoritetet, policia austriake arriti ta lokalizonte veturën dhe ta arrestonte të dyshuarin.

Duke qëndruar pranë Bugattit të rikuperuar, Rimac pranoi se tashmë do të ndryshojë zakonin e tij për t’i lënë çelësat brenda veturave.

Ai shpjegoi se këtë e bënte për arsye praktike, në mënyrë që punëtorët e kompanisë të mund t’i lëviznin automjetet pa pasur nevojë ta kontaktonin.

“E bëj këtë prej vitesh dhe nuk kishte ndodhur asgjë, deri tani. Nuk do ta bëj më këtë dhe mos e provoni fatin tuaj”, deklaroi Rimac.

Ngjarja përfundoi me rikuperimin e veturës luksoze, ndërsa i dyshuari për vjedhjen përfundoi në prangat e policisë austriake.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume