Në shumicën e rasteve viktima janë gratë. Siç bëjnë të ditur nga MPB deri në shtatorë të këtij viti janë paraqitur 1337 raste të dhunës në familje, me çrast në 770 raste viktimat kanë përfunduar me lëndime trupore.

Poashtu ka pasur edhe mbi 3 mijë ankesa për dhunë psikologjike.

“Në periudhën janar–shtator 2026 janë regjistruar 1.337 vepra penale të dhunës në familje, për të cilat janë raportuar 1.388 autorë dhe 1.433 viktima, prej të cilave 1.144 janë gra, shumica e tyre bashkëshorte. Veprat penale më të shpeshta janë “Lëndimi trupor” – 770 raste dhe “Rrezikimi i sigurisë” – 527 raste. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar edhe 191 kundërvajtje të dhunës në familje, për të cilat janë raportuar 228 autorë dhe 221 viktima, prej të cilave 95 gra. Gjithashtu, janë regjistruar 3.869 ankesa për dhunë në familje, me 3.971 autorë të raportuar dhe 3.961 viktima, prej të cilave 2.567 janë gra. Ankesat më të shpeshta kanë të bëjnë me keqtrajtimin psikik – 3.494 ankesa”, deklaroi Goce Andreevski nga MPB.

AP: Rastet e dhunës rriten vit pas viti

Në një periudhë tre vjeçare te institucioni i avokatit të popullit janë parashtruar 40 parashtresa të cilat kanë të bëjnë me dhunën në familje. Por shifrat flasin se nga viti në vit ankesat për dhunë në familje kanë shënuar rritje.

Viktimat ankohen te avokati i popullit për mosveprim apo veprim me vonesë të institucioneve, përfshi edhe policinë.

“Në vitin 2024 janë dorëzuar 7 parashtresa, në vitin 2025 janë dorëzuar 14 parastresa dhe në vitin 2026 janë parashtruar 19 parashtresa. Ankesat më të shpeshta të grave por edhe të personave të tjerë lidhur me dhunën në familje apo dhunën ndaj grave janë më së shpeshti rreth mos marrjes apo marrjes me vonesë të amsave nga ana e institucioneve kompetente, edhe atë më tepër janë ankaur për veprimin e ngadaltë apo mos veprimin e qendrave për punë sociale dhe policisë”, u shpreh Avokat i Popullit, Faton Selami.

Morina: Gratë s’kanë guxim ta paraqesin

Profesoresha universitare Imrane Morina problemin e dhunës në familje e sheh te vlerat patriarkale në shoqërinë tonë, por edhe te mos guximi dhe pasiguria e grave për ta partaqitur dhunën.

“Gratë ende nuk ndjehen të sigurta si për ta paraqitur dhunën si për ta trajtuar atë. Nëdoshta është edhe mosbesimi në institucione. Besoj se duhet të jetë kjo pika kryesore, kthimi i besimit në institucione, por pyetja jonë nuk duhet të jetë se pse grate nuk e raportojnë dhunën por çka po bëjmë ne që të ndjehen ata të sigurta ta raportojnë dhunën”, theksoi profesoresha universitare Imrane Morina.

Bela: Gratë të mos presin të përfundojnë tragjikisht

Dhuna ndaj grave është një problem serioz njerëzorë dhe shoqërorë me pasoja për shëndetin mendorë të gruas, thotë Zyrmrije Bela nga Organizata Joqeveritare Imago Plus. Sipas psikologes Bela nuk duhet pritur që dhuna të përfundojë në tragjedi për të reaguar.

“Dhuna nuk fillon gjithmonë si një akt fizik, ajo nis me kontrollin, poshtwrimin, izolimin, kërcënimin dhe kufizimin e lirisë personale. Kur këto sjellje normalizohen ose nënvlerësohen rreziku mund të rritet. Si psikologe mendoj se duhet të zhvendosim vëmendjen nga pyetja se pse një grua nuk largohet nga një marwdhënie e dhunshme se çfarw e pengon atë të ndjehet e sigurt për t’u larguar dhe për të kërkuar ndihmë. Asnjë grua nuk duhet të presë deri në një situate ekstreme që dhimbja dhe frika e sajë të merret seriozisht”, deklaroi Zyrmrije Bela nga Organizata Joqeveritare Imago Plus.

Kadriu: 45% e grave përballen me dhunë psikologjike

Përveç dhunës fizike viktimat përballen edhe me dhunë psikologjike thotë psikologu Arbër Kadriu, sipas të cilit viktimat në shuwm raste përveç mungesës së mbështetjes institucionale, nuk gjejnë mbështetje as te familja dhe shoqëria.

“Mbi 45 përqind kemi hasur në problematikën që ka pasur dhunë dhe presion psikologjik ndaj gjinisë femrore te grate. Megjithate ajo që është kryesorja dhe ne si psikolog e trajtojmë më së shumti janë kur gjinia femrore në këtë rast gratë përveç që kanë një problematikë sociale shmangje të lirisë së tyre, ato nuk hasin një mbështetje tek familjarët e tyre, tek bashkëshorti, tek fëmijët fatkeqësisht në dyisa raste e madje në përgjithësi tek shoqëria jonë e gjërë”, u shpreh psikologu Arbër Kadriu.

Kjo mbjell frikë respektivisht patologji të ankthit te gratë që përballen me dhunë, thotë pskologu Kadriu.

“Çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë, e sigurt dhe pa frikën e dhunës – në familje, në rrugë apo kudo tjetër. Institucionet përgjegjëse duhet të reagojnë në kohë ndaj çdo denoncimi, të marrin seriozisht çdo kërcënim dhe të garantojnë mbrojtje reale për gratë e rrezikuara. Reagimi nuk duhet të vijë vetëm pasi ndodh tragjedia, por shumë më herët – përmes edukimit për barazi gjinore dhe mbështetjes së viktimave, si nga institucionet, ashtu edhe nga shoqëria. Gratë duhet të inkurajohen të denoncojnë dhunën, pa presion për të heshtur dhe pa frikën se zëri i tyre do t’i rrezikojë edhe më shumë. Sepse asnjë grua nuk duhet të paguajë me sigurinë e saj çmimin e guximit për të folur”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume