Një përleshje fizike mes grupeve të tifozëve ka ndodhur sonte rreth orës 18:55, para sallës sportive “Jane Sandanski”, në lagjen Aerodrom të Shkupit. Sipas njoftimit të MPB-së, tifozët e grupit “Family” kanë sulmuar mbështetësit e klubit të basketbollit Rabotniçki.

Sipas informacioneve policore, disa pjesëtarë të „Family“ janë nisur nga rruga „Vasko Karangeleski“ në drejtim të sallës sportive, ku paraprakisht ishin mbledhur rreth 50 tifozë të Rabotniçkit, të cilët prisnin të ndiqnin një ndeshje sportive.

Në një moment, një grup më i vogël i tifozëve të „Family“ ka ndezur mjete piroteknike, është afruar te tifozët e Rabotniçkit dhe i ka sulmuar fizikisht. Pas përleshjes, pjesëmarrësit janë larguar në drejtime të ndryshme.

“Një person është privuar nga liria, ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit ‘Shën Naum Ohridski’, ku i është ofruar ndihmë mjekësore”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume