Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bisedë me ekspertët e AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) të angazhuar në konfigurimin e platformës “Pasqyrë Albania”, për t’u njohur nga afër me funksionalitetet dhe risitë që ajo sjell.

E konceptuar si rezultat i reflektimit mbi protestën qytetare të fillimqershorit, platforma sjell një qasje të re në marrëdhënien mes qytetarit dhe administratës, duke krijuar një dritare të vetme dixhitale, ku mund të ndiqen investimet publike, vendimmarrja vendore, aplikimet dhe ankesat, si dhe të jepet kontribut në përmirësimin e nismave publike.

“Pasqyrë Albania” është e konceptuar mbi katër shtylla kryesore, ku qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin investimet publike dhe ecurinë e projekteve në zonën e tyre; të njihen me vendimet e bashkive dhe këshillave bashkiakë; të ndjekin në kohë reale statusin e aplikimeve, shërbimeve dhe ankesave, përfshirë edhe fazat e trajtimit të tyre në institucionet përgjegjëse; si edhe të mund të japin opinionet e tyre mbi projektaktet në konsultim publik.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se platforma “Pasqyrë Albania” do të jetë e aksesueshme nga kompjuteri dhe telefoni, ndërsa në ditët në vijim pritet të mundësojë edhe komunikimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve me institucionet.

Sipas Ramës, sistemi do të integrojë gradualisht edhe inteligjencën artificiale, me synimin për të përshpejtuar marrjen e informacionit dhe trajtimin e kërkesave të qytetarëve.

Eksperti i AKSHIT u shpreh se një seksion ia kanë dedikuar edhe pasqyrimit të gjithë web site-ve të ministrive dhe institucioneve të linjës.

“Pasqyrë Albania” është një pasqyrë e re ku “administrata do të shohë vetveten dhe as halli i qytetarit nuk do të humbasë më në sirtarët e saj, as shkaktarët e vonesave nuk do të fshihen dot më pas murit të burokracisë.”

Rama tha se çdo ankesë do ndiqet me transparencë nga qytetarët, të cilët do e gjurmojnë hap pas hapi problemin e tij.

Një hapësirë e veçantë është edhe “Flamingo Mirror”, “Pasqyra e Flamingos” e dedikuar për projektet me rëndësi të veçantë dhe çështjet me interes të lartë publik, duke ofruar informacion transparent përballë pretendimeve dhe dizinformimi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume