Toshkovski në nisjen e misionit vlerësues të OKB-së: Maqedonia forcon kapacitetet për përballimin e kërcënimeve moderne terroriste
Shkup – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut vazhdon të forcojë kapacitetet institucionale për përballimin e kërcënimeve moderne të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm informon Tetovasot.
Deklarata e ministrit u bë gjatë sesionit fillestar të vizitës vlerësuese të Drejtorisë Ekzekutive të Komitetit Kundër Terrorizmit të Kombeve të Bashkuara (CTED), e cila zhvillohet në Shkup nga 2 deri më 6 nëntor.
Delegacioni i OKB-së udhëhiqet nga zëvendësdrejtoresha e CTED-së, Karmen Kantor, ndërsa qëllimi i kësaj vizite është vlerësimi i zbatimit të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kapaciteteve kombëtare dhe sfidave në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Toshkovski theksoi se kjo vizitë paraqet një mundësi të rëndësishme për një analizë gjithëpërfshirëse të progresit të vendit, duke kujtuar se vlerësimi i fundit i këtij lloji ishte realizuar në vitin 2011.
“Në këto pesëmbëdhjetë vite Maqedonia ka kaluar nëpër reforma të rëndësishme institucionale, ligjore dhe strukturore, me të cilat ka forcuar kapacitetet e sigurisë dhe ka konfirmuar rolin e saj si partner i përgjegjshëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar,” deklaroi Toshkovski.
Sipas tij, vendi synon të ndërtojë një sistem që identifikon në kohë kërcënimet, i parandalon ato në mënyrë efikase dhe garanton siguri për qytetarët.
Ministri theksoi se gjatë periudhës së fundit janë përmirësuar mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional, shkëmbimi i informacioneve operative dhe bashkëpunimi mes policisë, shërbimeve të inteligjencës dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e kufijve.
Vëmendje e veçantë, sipas tij, i është kushtuar edhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, zbulimit të hershëm të radikalizimit, deradikalizimit dhe riintegrimit në shoqëri, me përfshirjen e komuniteteve lokale, institucioneve arsimore dhe sektorit civil.
Duke folur për sfidat e ardhshme, Toshkovski bëri të ditur se është në përgatitje Strategjia e rishikuar Kombëtare për luftën kundër terrorizmit, ku fokus i veçantë do të jetë radikalizimi në hapësirën digjitale dhe kërcënimet e reja të sigurisë.
“Kërcënimet terroriste gjithnjë e më shumë po zhvendosen në hapësirën digjitale. Për këtë arsye kemi nisur procesin e formimit të një Njësie Kombëtare të specializuar për monitorimin dhe luftimin e përmbajtjeve terroriste në internet,” tha ministri.
Ai shtoi se paralelisht planifikohen edhe ushtrime të përbashkëta ndërinstitucionale për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përballimin e kërcënimeve hibride, me përfshirjen edhe të sektorit privat.
Gjatë vizitës pesëditore, ekspertët e OKB-së do të shqyrtojnë fusha të ndryshme, përfshirë legjislacionin kundër terrorizmit, parandalimin e financimit të terrorizmit, sigurinë kufitare, bashkëpunimin policor dhe gjyqësor ndërkombëtar, parandalimin e radikalizimit, keqpërdorimin e internetit dhe teknologjive të reja.
Në kuadër të vizitës janë planifikuar edhe dalje në terren në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe në pikën kufitare Tabanoc.
Në përfundim të misionit, delegacioni i OKB-së do të prezantojë vërejtjet dhe rekomandimet fillestare, të cilat do të shërbejnë si bazë për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve kombëtare.
“Këtë vlerësim e shohim si mundësi për të konfirmuar rezultatet e arritura, por edhe për të identifikuar fushat ku mund të përmirësohemi. Lufta kundër terrorizmit kërkon vigjilencë të vazhdueshme, institucione të forta dhe partneritet ndërkombëtar,” përfundoi Toshkovski.