BOZHINOVSKA: PO NDËRTOJMË NJË SISTEM PËR PËRGJIGJE TË SHPEJTË DHE TË KOORDINUAR NDAJ KËRCËNIMEVE KIBERNETIKE
Siguria kibernetike është pjesë e pandashme e sigurisë energjetike dhe ndikon
drejtpërdrejt në sigurinë e furnizimit, stabilitetin e sistemit dhe sigurinë kombëtare.
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, në bashkëpunim me partnerët
ndërkombëtarë dhe institucionet përkatëse, po punon për të krijuar zgjidhje sistemike
për mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike dhe për reagim në kohë ndaj
kërcënimeve kibernetike, theksoi ministrja Sanja Bozhinovska në aktivitetin “Siguria
kibernetike në sektorin energjetik: Nga vlerësimi te qëndrueshmëria – Udhërrëfyes për
CSIRT-in Energjetik“.
Bozhinovska theksoi se digjitalizimi sjell përfitime të rëndësishme për menaxhimin e rrjeteve
energjetike, shfrytëzimin e burimeve dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme, por
njëkohësisht rrit nevojën për mbrojtjen e sistemeve nga sulmet kibernetike, të cilat mund të
shkaktojnë pasoja serioze për qytetarët dhe ekonominë.
„Pas çdo familjeje që ka energji elektrike, çdo kompanie që punon dhe çdo shërbimi
publik që funksionon pa pengesa, qëndron një sistem, sigurinë e të cilit duhet ta
përmirësojmë vazhdimisht. Prandaj, siguria kibernetike në sektorin energjetik është
çështje që prek drejtpërdrejt qytetarët, ekonominë dhe sigurinë kombëtare”, theksoi
Bozhinovska.
Si rezultat konkret i bashkëpunimit me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim
(UNDP), me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Sllovakisë, ministrja përmendi
hartimin e Metodologjisë për krijimin e një CSIRT-i sektorial energjetik — një ekip i
specializuar për reagimin ndaj incidenteve të sigurisë kompjuterike. Zbatimi i saj pritet të
sigurojë procedura më të qarta, kanale të përcaktuara komunikimi dhe reagim më të
shpejtë ndaj kërcënimeve të sigurisë.
Në aktivitet u prezantua edhe Vlerësimi Gjithëpërfshirës i Sigurisë Kibernetike në
Sektorin Energjetik, i përgatitur përmes konsultimeve me institucionet dhe subjektet
energjetike. Dokumenti identifikon gjendjen dhe nevojat e sektorit, si dhe përmban
rekomandime, udhëzime dhe hapa me përparësi për forcimin e mbrojtjes.
„Sa më shumë ndërlidhen sistemet tona, aq më shumë siguria e secilit subjekt ndikon
në sigurinë e të gjithë sektorit. Prandaj na nevojiten besim ndërmjet institucioneve,
procedura të qarta dhe ekipe të përgatitura profesionale”, theksoi Bozhinovska.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e trajnimit të vazhdueshëm, zhvillimit të njohurive dhe
ushtrimeve praktike për profesionistët që çdo ditë menaxhojnë dhe mirëmbajnë sistemet
energjetike.
Bozhinovska shprehu mirënjohje ndaj Qeverisë së Republikës së Sllovakisë për
mbështetjen, UNDP-së për përkushtimin dhe profesionalizmin, Komisionit Rregullator të
Energjetikës, si dhe të gjitha institucioneve, kompanive dhe ekspertëve të përfshirë në
realizimin e kësaj nisme. Ajo veçoi kontributin e ekipit të IT-së të Ministrisë.
Ministria mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe zbatimin e
zgjidhjeve moderne për mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike, si parakusht për
një sistem energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe rezistent.





