Shkruan:Muhamed Zeqiri – TetovaSot

Rezultati i zgjedhjeve në Bërvenicë nuk është thjesht zgjedhja e një kryetari komune. Është një mesazh politik që shkon përtej kufijve të kësaj komune dhe që duhet të lexohet me vëmendje nga të gjitha partitë politike, veçanërisht nga ato shqiptare dhe partnerët e tyre në pushtetin qendror.

Arkin Jahiji i AKI-së arriti të përmbysë rezultatin e raundit të parë, kur kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojanço Radiçevski, kishte epërsinë me afro 800 vota. Kthesa e rezultatit dhe fitorja e Arkinit dëshmuan se gara nuk përfundon me matematikën e raundit të parë dhe se votuesi shqiptar nuk është domosdoshmërisht i gatshëm të ndjekë kalkulimet politike të partive.

Votuesi shqiptar e bëri të qartë se nuk është pronë e asnjë partie!

Ky është ndoshta mesazhi më i rëndësishëm i Bërvenicës. Pavarësisht kalkulimeve të VLEN-it, i cili është partner koalicioni i VMRO-DPMNE-së në pushtetin qendror, votuesi shqiptar tregoi se di të marrë vendime vetë, sidomos kur percepton se në lojë janë interesa më të mëdha politike dhe kombëtare.

Asnjë parti nuk mund të pretendojë se e ka elektoratin në pronësi dhe asnjë marrëveshje koalicioni nuk mund të konsiderohet si autorizim për të vendosur në emër të votuesve.

Ky duhet të jetë një mësim për të gjitha partitë shqiptare në të ardhmen: interesat elektorale dhe kalkulimet partiake nuk mund të vendosen automatikisht mbi vullnetin e qytetarëve.

Ndërsa Mickoski duhet tani ta rilexojë mesazhin e Bërvenicës!

VMRO-DPMNE-ja pavarësisht fuqisë së saj në kampin politik maqedonas, duhet të kuptojë se marrëdhëniet me partnerët e koalicionit nuk mund të ndërtohen vetëm mbi raportin e forcës.

Një partneritet politik nuk është marrëdhënie vartësie. Presioni ndaj partnerit, nënvlerësimi i tij apo pritshmëria që ai të zbatojë çdo kalkulim të partnerit më të madh mund të prodhojnë efektin e kundërt: mobilizimin e elektoratit të palës tjetër.

Në Bërvenicë, rezultati tregoi se një garë lokale mund të shndërrohet në një matje të raporteve politike mes dy blloqeve. Për Mickoskin, ky rezultat duhet të jetë arsye për të rishikuar mënyrën se si e trajton partneritetin me përfaqësuesit shqiptarë në qeveri.

BDI-ja ne këtë garë luajti në heshtje, por rezultati foli me zë të lartë!

Një tjetër element që meriton analizë është mënyra se si BDI-ja, si forca kryesore e AKI-së, e menaxhoi raundin e dytë.

Pas një raundi të parë ku kandidati i saj ishte në disavantazh, fushata e raundit të dytë nuk u karakterizua nga e njëjta zhurmë publike si në raundin e parë. Puna në terren, mobilizimi dhe koordinimi duket se morën më shumë rëndësi sesa parnia e dukshme e zyrtarëve të kësaj partie në këtë komun.

Fitorja e Arkin Jahijit i jep BDI-së mundësinë të pretendojë se, edhe jashtë pushtetit qendror, vazhdon të ketë kapacitet organizativ dhe ndikim elektoral.

Por, kjo fitore nuk duhet lexuar si një çek i bardhë politik. Ajo është një rezultat konkret në një komunë konkrete dhe përgjegjësia e fituesit tani është të dëshmojë se mund ta kthejë besimin e qytetarëve në rezultate për Bërvenicën dhe jo vetem.

Tani parashtrohet edhe një pyetje. Çfarë fature politike mund të paguajë VLEN-i?

Qëndrimi i VLEN-it në raundin e dytë dhe kalkulimi i shprehur publikisht përmes deklaratës se le të fitojë më i miri, pa një thirrje të qartë për mbështetjen e kandidatit shqiptar, ishte një zgjedhje politike që tani do të analizohet nga dy këndvështrime.

Së pari, nga elektorati shqiptar, i cili mund ta interpretojë dhe po e interpretion këtë qëndrim si mungesë solidariteti politik në një garë ku përballë një kandidati shqiptar ishte kandidati i partisë më të madhe maqedonase në pushtet.

Së dyti, nga vetë VMRO-DPMNE-ja, e cila në kuadër të partneritetit qeverisës mund të ketë pritur një angazhim më të madh të VLEN-it për fitoren e kandidatit të tyre.

Këtu qëndron paradoksi politik: VLEN-i mund të përballet me kritika nga një pjesë e elektoratit shqiptar për mosmbështetjen e hapur per kandidatin shqiptar, ndërsa njëkohësisht duhet të përballet me pyetjen se sa e përmbushi pritshmërinë e partnerit të tij qeveritar VMRO-së.

Tani vëmendja zhvendoset ne zyrat e qeverise ne Shkup dhe te raportet brenda koalicionit qeveritar.

Prej kohësh pritet riorganizimi i disa pozicioneve në administratën shtetërore, emërimet e zëvendësministrave, si dhe ndryshimet në drejtori dhe ndërmarrje publike. Ky proces është shtyrë disa herë, ndërsa në opinion me të drejt është krijuar përshtypja se rikonfigurimi i pozitave politike lidhej ngushte me kalkulimet rreth zgjedhjeve në Bërvenicë.

Nëse rezultati i kësaj komune do të ndikojë në raportet mes Mickoskit dhe VLEN-it, kjo do të shihet në ditët dhe javët në vijim, përmes vendimeve konkrete për përfaqësimin e partnerëve në institucionet shtetërore.

Mickoski tani duhet të vendosë nëse do ta ruajë formulën aktuale të partneritetit apo do të kërkojë rishikimin e saj. Ndërsa VLEN-i duhet të dëshmojë se pozita e tij në qeveri mbështetet në një partneritet të qëndrueshëm dhe jo vetëm në nevojat momentale të shumicës parlamentare.

Dhe tani vijm tek pyetja se a është Bërvenica paralajmërim për zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Kjo është pyetja që hapet natyrshëm pas rezultatit të mbrëmshëm.

A do të mbetet Bërvenica vetëm një garë lokale me pasoja politike për partitë pjesëmarrëse, apo do të shndërrohet në një pikë kthese për rikonfigurimin e skenës politike shqiptare dhe marrëdhëniet brenda shumicës qeveritare?

A do të vazhdojë VLEN-i të jetë partneri i preferuar shqiptar i Mickoskit, apo rezultatet dhe raportet e reja politike do ta detyrojnë VMRO-DPMNE-në të rishikojë strategjinë e saj ndaj faktorit politik shqiptar?

Dhe, mbi të gjitha, a mund të shërbejë ky rezultat si një nga elementet që do të përshpejtojnë përgatitjet për zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Për momentin, këto janë pyetje dhe jo përfundime. Por një gjë është e qartë: Bërvenica ka prodhuar një rezultat që nuk mund të trajtohet vetëm si statistikë zgjedhore.

Në politikë, pushtetin mund ta ndash me marrëveshje, por besimin e votuesit nuk mund ta ndash në tavolinat e koalicionit. Atë e fiton ose e humb në kutinë e votimit.

Dhe pikërisht këtë mesazh e dha Bërvenica!

Dhe krejt në fund dhe jo më pak e rëndësishme, mos ta harrojme dhe ta lëm pa e përmendur rrolin e mërgates shqiptare.

Një meritë e veçantë në këtë rezultat i takon pikërishtë diasporës shqiptare, e cila dëshmoi se lidhja me vendlindjen nuk matet me kilometrat që e ndajnë nga ajo. Mobilizimi i bashkatdhetarëve tanë, të cilët u nisën nga vende të ndryshme të Evropës për të ardhur në Bërvenicë dhe për të ushtruar të drejtën e tyre të votës, ishte një tjetër element me peshë në këtë garë. Ata dëshmuan se, pavarësisht se jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, vazhdojnë ta ndjekin nga afër zhvillimin politik në vendlindje dhe nuk janë indiferentë ndaj vendimeve që ndikojnë në të ardhmen e komunitetit të tyre. Mesazhi i diasporës ishte i qartë: mund të jetojnë larg vendlindjes, por nuk janë larg interesave të saj. Edhe partitë politike duhet ta kuptojnë se diaspora nuk është vetëm një burim votash në ditën e zgjedhjeve, por një pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare, zëri dhe vullneti i së cilës meritojnë respekt.