Shkëndija U16 po zhvillon një nga kampionatet më të mira në Superligë. Nën drejtimin e trajnerit Ismail Ismaili, skuadra jo vetëm që po grumbullon fitore, por po ndërton një identitet të qartë loje: futboll ofensiv, presion të lartë dhe besim për të sulmuar në çdo ndeshje informon Tetovasot.

Në formatin e ri të kampionatit, ku çdo pikë ka peshë të madhe, kuqezinjtë kanë treguar se cilësia nuk matet vetëm me rezultatet, por edhe me mënyrën se si arrihen ato. Shkëndija dominon, krijon raste dhe shfaq futboll modern, duke dëshmuar se puna e bërë në akademi po jep frytet e saj.

Në çdo repart skuadra ka lojtarë që bëjnë diferencën, por në vijën e parë të sulmit spikat një emër që po bëhet vendimtar javë pas jave: Leard Salihi.

Sulmuesi kuqezi është kthyer në makthin e mbrojtjeve kundërshtare. Me ritmin e tij, lëvizjet inteligjente dhe instinktin për gol, ai po gjen rrugën e rrjetës pothuajse në çdo takim, duke realizuar të paktën dy gola në shumë prej ndeshjeve të fundit.

Ajo që i kishte munguar skuadrës në sezonet e kaluara , efikasiteti para portës , këtë sezon është shndërruar në armën më të fortë. Kur Shkëndija shënon herët, loja ndryshon tërësisht. Futbollistët luajnë më të lirë, me më shumë vetëbesim dhe kontrollojnë ritmin e ndeshjes, ndërsa kundërshtarët detyrohen të ndjekin lojën e kuqezinjve.

Merita i takon gjithë grupit, por edhe filozofisë së trajnerit Ismail Ismaili, i cili ka krijuar një skuadër që nuk kënaqet vetëm me fitoren, por kërkon ta dominojë ndeshjen përmes futbollit sulmues.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, Shkëndija U16 jo vetëm që do të mbetet një pretendente serioze për titull, por do të vazhdojë të prodhojë futbollistë që nesër mund të jenë e ardhmja e klubit dhe e futbollit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume