Bashkim Aliu

Jo rrallë herë dukuritë që hasen në Perëndim, pa dallim, shihen si akte emancipimi të shoqërisë, si dhe nuk janë të paktë ata që e promovojnë fuqishëm një mendësi të këtillë duke i shpallur ” renegatë” nga emancipimi të gjithë ata që kane qasje më ndryshe ndaj ketyre dukurive apo që jane kritik ndaj kësaj qasjeje dhe këtij mentaliteti. Të shumtë janë ata që kanë promovuar një frymë të këtillë “emancipuese” në emër të trashëgimisë pagane, pa çka se ajo është shndërruar në një ngjarje “laike” jo doktrinare me karakter zbavitës në shoqëritë bashkëkohore perëndimore dhe më gjërë. Në mesin e atyre që kanë komentuar për këtë ngjarje që është festuar edhe në disa vende me popullatë shumicë muslimane është edhe komentatori politik kosovar Blerim Latifi, i cili në një postim të tij në FB shkruan: ” Nga lajmet e botës

Në Riad dhe në qytete të tjera të Arabisë Saudite, edhe këtë vit qenkan organizuar festime të Halloween-it. Njerëzit paskan dalë për t’u argëtuar me kostume, maska dhe ritualet e kësaj feste.

Ndërkohë, pritet që autoritetet vahabiste në Kosovë ta dënojnë ashpër këtë aktivitet anti-islamik në Arabinë Saudite. 🤦‍♂️

P.S. Një ditë, jo vetëm Perëndimi, por edhe Lindja ka me fillu me qeshë me budallallëqet dhe sharlatanizmin tonë fetar.”

Kjo është ironi, dhe kur ironia ndërtohet mbi premisa të gabuara, ajo nuk është argument, por vetëm një formë tjetër e paragjykimit.
Postimi i Blerim Latifit mbështetet në një krahasim të gabuar historik dhe kulturor. Fakti që në Arabinë Saudite organizohen festime të Halloween-it nuk përbën ndonjë dëshmi të emancipimit intelektual, të përparimit qytetërues apo të ndonjë epërsie kulturore. Një dukuri nuk bëhet e qytetëruar vetëm pse importohet nga Perëndimi.
Halloween-i ka rrënjë në tradita të lashta pagane, në besime popullore dhe në bestytni që lidhen me botën e të vdekurve, shpirtrat dhe frikën nga e panjohura. Me kalimin e kohës, këto tradita janë përzier me elemente të kalendarit të krishterë dhe më pas janë shndërruar në një fenomen komercial e argëtues.
Prandaj, para se Halloween-i të paraqitet si simbol i qytetërimit perëndimor, do të duhej bërë dallimi ndërmjet trashëgimisë kulturore, besimeve supersticioze dhe arritjeve të mirëfillta të qytetërimit. Shkenca, mendimi kritik, institucionet demokratike, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi intelektual janë arritje që meritojnë të vlerësohen. Por nuk ka asnjë arsye që një bestytni e trashëguar nga kohë të lashta të ngrihet në piedestalin e progresit civilizues.
Po ashtu, fakti që një shoqëri myslimane lejon apo organizon aktivitete të tilla nuk do të thotë se ka ndryshuar ndonjë parim themelor fetar. Ai tregon një ndryshim në politikat kulturore, në praktikat shoqërore ose në orientimin e institucioneve shtetërore. Këto janë çështje të ndryshme nga e vërteta apo e pavërteta e një qëndrimi fetar.
Mbi të gjitha, është e gabuar të përdoret një shembull i tillë për të përqeshur qëndrimet fetare në Kosovë. Mund të mos pajtohemi me interpretime të caktuara fetare, mund t’i kritikojmë ato dhe të kërkojmë argumente më të qëndrueshme. Por kjo duhet bërë përmes dijes, historisë dhe arsyetimit, jo përmes krahasimeve sipërfaqësore.
Qytetërimi nuk matet me numrin e festave që importon një shoqëri, por me nivelin e dijes, të arsyes, të drejtësisë dhe të dinjitetit njerëzor që arrin të ndërtojë.
Ironia është e lehtë; argumentimi kërkon dije.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume