Aeroplani i kompanisë Air Serbia, me të cilin po udhëtonte kryetari i Lëvizjes Socialiste Aleksandar Vulin drejt Moskës, është kthyer në Beograd për shkak të kontrolleve shtesë të sigurisë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, më 3 nëntor, kur aeroplani i linjës JU134 ishte nisur nga aeroporti “Nikola Tesla” në orën 18:48 dhe kishte arritur mbi jugun e Lituanisë.

Sipas portalit serb Nova.rs, kthimi është urdhëruar pasi është konstatuar se Vullini dyshohet se kishte hipur në aeroplan pa iu nënshtruar kontrollit të detyrueshëm të sigurisë.

Portali raporton se drejtori i sigurisë korporative të aeroportit të Beogradit, Millan Kuç, kishte shqyrtuar pamjet e kamerave dhe kishte vërejtur se procedurat nuk ishin respektuar. Ai më pas dyshohet se kishte urdhëruar kthimin e aeroplanit.

Sipas të njëjtave burime, ekzistojnë dyshime se dikush e kishte ndihmuar Vullinin të hipte në aeroplan pa kaluar kontrollet përkatëse. Këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Kompania ajrore Air Serbia ka konfirmuar se aeroplani është kthyer në Beograd pas marrjes së informacioneve nga shërbimet përgjegjëse të aeroportit për nevojën e kontrolleve shtesë të sigurisë lidhur me një pasagjer.

Sipas kompanisë, vendimi është marrë në përputhje me procedurat dhe rregullat e sigurisë së aviacionit.

Air Serbia nuk ka bërë të ditur identitetin e pasagjerit për të cilin janë kërkuar kontrollet shtesë.

Pas kthimit të aeroplanit, Vulini ka konfirmuar se ndodhej në fluturimin drejt Moskës.

Në një deklaratë për televizionin Informer, ai ka thënë se ishte duke fjetur gjatë udhëtimit dhe se vetëm pasi ishte zgjuar kishte kuptuar se aeroplani ishte kthyer në Beograd.

“Isha duke fjetur në aeroplan, zgjohem dhe më thonë se jemi në Beograd. Shoh se ishte mbledhur policia, njësitë speciale”, ka deklaruar Vulini.

Ai ka mohuar se kishte ndonjë gjë të paligjshme dhe ka theksuar se iu nënshtrua sërish kontrolleve të sigurisë pas kthimit.

“Asgjë e paligjshme nuk është gjetur tek unë, sepse asgjë e tillë nuk mund të kishte”, ka deklaruar ai.

Vullini ka thënë se udhëtimi i tij në Moskë ishte zyrtar dhe kishte për qëllim diskutimet për vazhdimin e marrëveshjes së furnizimit me gaz për Serbinë.

Sipas raportimeve të mediave serbe, në të njëjtin fluturim ndodheshin edhe drejtori i kompanisë shtetërore Srbijagas, Dushan Bajatoviç, dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe, Nenad Popoviç.

Rasti ka shkaktuar reagime në Serbi, ndërsa në rrjetet sociale janë ngritur pyetje për arsyet e udhëtimit të zyrtarëve drejt Moskës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sërxhan Millivojeviç, kishte publikuar më herët një mesazh në platformën X, duke pyetur se kush po largohej drejt Moskës me fluturimin e mbrëmjes.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume