Janevska: Më shumë siguri për të rinjtë në trafik përmes veprimit të koordinuar të shkollave, institucioneve, familjeve, sektorit civil dhe komuniteteve lokale
Strategjia Kombëtare për Sigurinë në Trafikun Rrugor 2026–2030 paraqet dokument të
rëndësishëm strategjik, i cili njeh kontributin e arsimit në krijimin e kulturës së trafikut dhe në
avancimin afatgjatë të sigurisë në trafik, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna
Janevska, në promovimin e Strategjisë së re.
„ Arsimi është një nga mekanizmat më të fuqishëm parandalues. Njohuritë, qëndrimet dhe
shprehitë që kontribuojnë për pjesëmarrje të sigurt në trafik duhet të zhvillohen që në moshë
të hershme, duke filluar nga edukimi parashkollor dhe duke vazhduar në të gjitha nivelet e
procesit arsimor. Temat që lidhen me sigurinë në trafik janë të integruara në veprimtarinë
edukativo-arsimore, përmes aktiviteteve mësimore dhe jashtëmësimore, si dhe fushatave të
realizuara në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, organizatat profesionale
dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale”, theksoi ministrja Janevska, duke shtuar se të dhënat
për aksidentet në trafik dhe sjelljen e rrezikshme të të rinjve si pjesëmarrës në trafik tregojnë
se nevojitet qasje edhe më e koordinuar.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit, do të
punojë në avancimin e mëtejshëm të përmbajtjeve dhe aktiviteteve edukativo-arsimore,
përmes të cilave nxënësit do të fitojnë njohuri praktike, do të mësojnë të identifikojnë rreziqet
në trafik dhe do të zhvillojnë shprehi për sjellje të përgjegjshme dhe të sigurt, duke përfshirë
edhe përdorimin e duhur të pajisjeve mbrojtëse.
Janevska theksoi se edukimi i suksesshëm nuk është i mundur pa mësimdhënës të
përgatitur dhe burime moderne mësimore, prandaj pjesë e aktiviteteve do të
përqendrohen në përforcimin e kompetencave të kuadrit mësimor, si dhe në
sigurimin e materialeve dhe mjeteve përkatëse edukative për punën me nxënësit.
Gjithashtu ajo mbështeti idenë për forcimin e zonave të sigurisë përreth shkollave, parqeve
dhe qendrave të lagjeve, përmes partneriteteve me komunat dhe organizatat e shoqërisë
civile. “Krijimi i mjedisit më të sigurt përreth vendeve ku qëndrojnë fëmijët është detyrim i
përbashkët i të gjitha institucioneve dhe i gjithë komunitetit. Po aq e rëndësishme është që të
rinjtë të fitojnë njohuri dhe aftësi bazë për të vepruar në mënyrë të duhur gjatë minutave të
para kritike pas aksidentit të trafiku, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe institucionet
shëndetësore”, u shpreh ministrja.
Suksesi i Strategjisë varet nga aftësia për veprim të përbashkët dhe të koordinuar. Janevska
u bëri thirrje shkollave, institucioneve, familjeve, sektorit civil dhe komuniteteve lokale që të
ndërtojnë kulturë të qëndrueshme të sigurisë, e cila është e domosdoshme si përgjigje ndaj
rreziqeve me të cilat përballemi si shoqëri.



