Grupi kriminal ka vepruar në mënyrë të organizuar, ndërsa aktivitetet e tij janë zhvilluar nga viti 2021 e deri më sot. Pra, ka vepruar në territorin e Kumanovës për më shumë se pesë vjet. Dikush ka marrë guximin të shkruajë një informacion dhe ta dorëzojë në polici. Ne, si polici, veprojmë me vendosmëri, shqyrtojmë çdo informacion të marrë dhe nuk tregojmë asnjë tolerancë, pavarësisht se kush është kryerësi i veprimeve të paligjshme. Mbledhim prova dhe veprojmë në aspektin operacional, duke siguruar dëshmi materiale kundër secilit individ, pavarësisht nëse fshihen pas emrave apo grupeve të caktuara, deklaroi drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BSP) pranë MPB-së, Aleksandar Janev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me aksionin e sotëm policor në Kumanovë, që synon shkatërrimin e një grupi të dyshuar për fajde, zhvatje dhe pastrim parash.
Ai shtoi se pas aksionit të sotëm në Kumanovë, ndaj pesë personave do të parashtrohet kallëzim penal, pasi policia posedon prova dhe fakte serioze për veprat e kryera, si dhe për të gjitha aktivitetet që ata kanë zhvilluar.
“Janë kryer bastisje në të gjitha lokacionet dhe gjatë tyre është gjetur një shumë e konsiderueshme parash dhe dokumentesh, që dëshmojnë se personat merreshin me huadhënie parash dhe kryenin zhvatje. Në bazë të kësaj, është propozuar të kryhet bastisje edhe në një zyrë noteriale në Kumanovë. Gjithashtu është njoftuar edhe Banka Popullore, pasi janë gjetur mjete financiare që dyshohet se burojnë nga një këmbimore në pronësi të vëllait të njërit prej të dyshuarve. Banka Popullore po kryen kontroll dhe revizion për të konstatuar nëse paratë e gatshme kanë origjinën nga kjo këmbimore”, theksoi Janev.
Ai bëri të ditur se gjatë procedurës dhe bastisjeve pret që të sekuestrohen automjetet, i gjithë dokumentacioni, telefonat dhe të gjitha sendet e rëndësishme që mund të jenë me interes për hetimin.
Në koordinim me prokurorin publik kompetent për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të parashtrohet edhe kallëzimi përkatës penal.