Mickoski për „Alta Banka“: LSDM-ja u gëzohet skenarëve të errëta, ne po përpiqemi me të gjitha forcat të gjejmë zgjidhje
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me akuzat nga ana e opozitës se asnjëri nga dy modelet e mundshme të propozuara për rastin „Alta Banka“ nuk do të jetë i frytshëm, deklaroi:
„Po, atë që po e dëgjojmë ditëve të fundit nga opozita dhe që ka të bëjë me „Alta Bankën“, dje unë u përpoqa ta përmbledh në deklaratën time gjatë konferencës për shtyp me ambasadorin Rokas. Dua edhe një herë të theksoj, dhe kjo është shumë e rëndësishme, se bëhet fjalë për një problem të importuar nga fqinji ynë verior. Atje e shihni çfarë po ndodh, tani informacioni i fundit është se edhe vetë këmbimoret e kanë kufizuar sasinë që mund të blihet dhe të këmbehet, deri në 300–400 euro. Pra, nuk mund të bëhet më konvertimi i valutës së atjeshme, i dinarëve në euro. Dhe kjo paraqet një tregues serioz për stabilitetin e sistemit bankar të atjeshëm, do të thosha. Shpresoj se skenari më i zi do të shmanget. Pse, sepse Serbia është një partner i rëndësishëm tregtar për Maqedoninë, më shumë se një miliard e dyqind, një miliard e treqind milionë euro shkëmbim në vit kemi me fqinjin tonë verior. Një numër i madh i kompanive tona bashkëpunojnë me kompani serbe. Shumë nga ato kompani, pronarët e atyre kompanive, më telefonojnë dhe më pyesin çfarë më tej. Sepse partnerët e tyre nga Serbia kanë llogari dhe mjete të bllokuara në „Alta Banka“ dhe një pjesë e tyre madje e kanë mbyllur biznesin e vet, përkatësisht kanë falimentuar, me çka praktikisht kompanitë tona tani kanë problem. Unë shpresoj se shumë shpejt do të formohet Qeveria dhe ajo Qeveri do të udhëheqë një politikë proevropiane, reformuese, diçka që për ne është e rëndësishme.
Sa i përket rastit „Alta Banka“, unë edhe dje në deklaratën time thashë, edhe sot. Qeveria dhe opozita, konkretisht LSDM-ja, kanë ambicie të ndryshme. Ata u gëzohen skenarëve të zinj. Ne po përpiqemi me të gjitha forcat të gjejmë zgjidhje, përkatësisht një blerës që do ta blejë bankën, sepse banka është vërtet në gjendje të shkëlqyer. Ata gëzohen që qytetarët të mos dëmshpërblehen, sipas parimit të „TAT“-it nga koha e LSDM-së, sipas parimit të „Eurostandard banka“ nga koha e LSDM-së. Unë thashë dhe qëndroj pas kësaj se deri në centin e fundit, çdo kreditor, çdo kursimtar do të dëmshpërblehet. Sepse pjesa më e madhe e depozitave të kursimit janë të siguruara në Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kursimit, ndërsa aktiva e bankës është shumë më e madhe se kërkesat. Por, ne po përpiqemi të mos vijë deri te kjo, përkatësisht ky skenar i zi, për të cilin lutet çdo ditë dhe punon opozita LSDM, të mos ndodhë, përkatësisht të gjejmë blerës. Dhe në ditët e ardhshme, së bashku me guvernatorin dhe ministren e Financave, do të kemi takim, përkatësisht takime me disa institucione financiare që do të mund të ishin blerës potencialë të vetë bankës.
Edhe një herë dua të përsëris, opozita mendon se përmes kësaj krize të importuar nga fqinji ynë verior, do të faktorizohet. Dhe nga një strukturë politikisht, do të thosha, krejtësisht e parëndësishme, do të faktorizohet dhe në atë mënyrë do të tërheqë vëmendje politike. Dhe prandaj ata përpiqen përmes të pavërtetave, përmes konstruksioneve, përmes skenarëve të zinj t’i, si të them, t’i çorientojnë qytetarët, por kjo është krejtësisht e kundërt nga ajo që është e vërteta. Dhe prandaj i lus qytetarët të mos u besojnë këtyre të pavërtetave, siç ndodhte shumë herë në të kaluarën, nga ajo se do të sjellim migrantë, se tashmë kemi falimentuar si shtet, se nuk e di çfarë tjetër nuk ndodhte nga ana e tyre, ashtu siç asgjë nga këto nuk ndodhi. Kështu edhe këtë herë, të jenë të qetë, edhe Banka Popullore, edhe Qeveria i kanë instrumentet e veta. Dhe me ndihmën e atyre instrumenteve, plotësisht e kontrollojmë gjendjen. Kështu që këtu nuk ka absolutisht hapësirë për shqetësim. Qëllimi është të shpëtohet, sepse vërtet bëhet fjalë për një institucion financiar të shëndoshë.“