Në konkursin për pranimin e 29 kadetëve në Akademinë Ushtarake „Gjeneral Mihailo Apostolski”, janë paraqitur 99 kandidatë, nga të cilët 46 i kanë plotësuar kriteret për përzgjedhje. Në mesin e kandidatëve të paraqitur kanë qenë dy shqiptarë, por njëri është tërhequr nga procedura, ndërsa tjetri është renditur në vendin e 43-të në listën e kandidatëve.

Ky është reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes ndaj akuzave të sotme të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), se për herë të parë që nga themelimi i Akademisë Ushtarake në vitin 1995, nuk është pranuar asnjë kadet shqiptar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria, nga gjithsej 99 kandidatë të paraqitur, 95 kanë qenë maqedonas, dy shqiptarë, një rom dhe një vlleh.

Nga Ministria i cilësojnë akuzat e BDI-së si populiste dhe të pabazuara, duke paralajmëruar se një mënyrë e tillë e komunikimit mund të nxisë jotolerancë ndëretnike, në vend që të kontribuojë në paraqitjen objektive të fakteve.

„Që të ekzistojë dhe të vlerësohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, është e nevojshme që qytetarët e përkatësisë përkatëse etnike të aplikojnë në konkurset publike dhe transparente për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake. Njëkohësisht, nuk do të heqim dorë nga parimi që në Armatë të pranohen më të mirët ndër më të mirët”, thuhet në komunikatën e Ministrisë përkatëse.

Nga Ministria shtojnë se procedura e konkursit ka qenë transparente. Konkursi është publikuar në dy gazeta ditore në gjuhën maqedonase dhe shqipe, në faqen zyrtare të Ministrisë, si dhe përmes njoftimeve për media dhe publikimeve në rrjetet sociale të Ministrisë dhe Akademisë Ushtarake.

Ata theksojnë se edhe më tej do ta vlerësojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, të cilin e konsiderojnë si një vlerë të rëndësishme për mbrojtjen dhe Armatën.

Lista preliminare dhe ajo përfundimtare e kandidatëve janë publikuar në faqen zyrtare të Akademisë Ushtarake.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot njoftoi se këtë vit në Akademinë Ushtarake nuk është pranuar asnjë kadet shqiptar, gjë që ndodh për herë të parë që nga themelimi i këtij institucioni në vitin 1995.

Nga kjo parti akuzojnë VLEN-in se ka dështuar të sigurojë përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në institucione.

Megjithatë, sipas BDI-së, përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet vetëm VLEN-it. Ata theksojnë se edhe Qeveria duhet ta kuptojë se besimi ndërmjet partnerëve politikë nuk ndërtohet përmes deklaratave, por përmes respektimit të parimeve të barazisë dhe përfaqësimit të drejtë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume