Shasivari nga Budva: Krimi nuk duhet të jetë fitimprurës, pasuria e paligjshme nuk mund të mbetet në duart e autorëve
Lufta kundër korrupsionit duhet të sjellë rezultate konkrete, përgjegjësi për korrupsionin e nivelit të lartë dhe konfiskim efektiv të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Ky ishte një nga mesazhet kryesore të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, në Forumin Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme në Budva, ku mori pjesë në panelin kushtuar luftës kundër korrupsionit.
Ministri theksoi se sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë themeli i stabilitetit demokratik dhe besimit tek institucionet. Vëmendje të veçantë i kushtoi rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, trajtimi i të cilave përbën një test të vërtetë për efikasitetin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
“Vëmendje të veçantë i kushtojmë trajtimit efikas të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, si një nga treguesit kryesorë të efektivitetit të sistemit të drejtësisë dhe aftësisë së tij për të siguruar përgjegjësi, pavarësisht pozitës apo ndikimit të autorëve”, theksoi Shasivari.
Në fokus të fjalimit të tij ishin edhe reformat ligjore. Janë përgatitur Kodi i ri Penal dhe Ligji i ri për Procedurën Penale, që parashohin sanksione më të ashpra për veprat penale të korrupsionit dhe mekanizma më efikasë për konfiskimin e pasurisë dhe përfitimeve të paligjshme.
“Qëllimi ynë është i qartë – krimi nuk duhet të jetë fitimprurës dhe pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme nuk duhet të mbetet në duart e autorëve të veprave penale”, porositi ministri.
Shasivari prezantoi edhe ndryshimet e përgatitura në Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, Ligjin e ri për Denoncimin e Mbrojtur dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve, si dhe ndryshimet në Ligjin për Lobimin. Këto zgjidhje synojnë forcimin e kontrollit të gjendjes pasurore, parandalimin e konfliktit të interesave dhe rritjen e përgjegjësisë institucionale.
Përveç ndryshimeve ligjore, ministri u ndal edhe te aktivitetet konkrete për forcimin e integritetit në gjyqësor. Në bashkëpunim me OSBE-në, kryetarët e gjykatave themelore nga rajonet e apelit të Shtipit, Gostivarit, Manastirit dhe Shkupit kanë nënshkruar politika të integritetit. Njëkohësisht, po avancohen mekanizmat e përgjegjësisë disiplinore dhe të sjelljes profesionale, ndërsa raundi i gjashtë i vlerësimit të GRECO-s paraqet një mundësi shtesë për vlerësimin dhe përmirësimin e mekanizmave kundër korrupsionit.
Duke folur për bashkëpunimin ndërkombëtar, Shasivari theksoi se korrupsioni nuk njeh kufij dhe se luftimi i tij kërkon veprim të përbashkët, shkëmbim informacionesh dhe bashkëpunim më efikas me institucionet evropiane, përfshirë EUROJUST-in.
Ministri përshëndeti strategjinë e re kundër korrupsionit të Bashkimit Evropian dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Komisionit Evropian në zbatimin e reformave.
“Për ne është veçanërisht e rëndësishme që reformat të sjellin përfitime të dukshme dhe konkrete, si për institucionet, ashtu edhe për qytetarët”, theksoi Shasivari.


