Ka nisur protesta gjithëkombëtare në Prishtinë për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale.
Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
Protesta ka nisur nga Katedralja “Nënë Tereza”, ndërsa organizatorët kanë ftuar qytetarët nga të gjitha qytetet e Kosovës që t’i bashkohen marshit.
Përmes kësaj proteste, kërkohet që vrasja e grave, e njohur si femicid, të shpallet urgjencë kombëtare.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve është shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqja e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Po ashtu, kërkohet shkarkimi, ndjekja penale dhe burgimi i zyrtarëve që organizatorët i konsiderojnë përgjegjës për dështimet institucionale në rastin e Arlindës.
Në listën e kërkesave përfshihen edhe sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingu i pavarur dhe apartiak në sistemin e drejtësisë, si dhe legalizimi i sprejit vetëmbrojtës për gratë.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Para vrasjes, ajo kishte kërkuar disa herë ndihmë nga institucionet, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Rasti ka nxitur protesta të njëpasnjëshme në vend, me kërkesa për përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave.