Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të përfaqësuesve të partisë ZNAM, duke theksuar se qëndrimet e tyre nuk do të ndikojnë në realizimin e të drejtave të shqiptarëve.
Azizi, përmes një statusi në rrjetet sociale, ka rikujtuar rastin e shkarkimit të Filkovit, duke thënë se edhe atëherë nga ZNAM-i deklaronin se një gjë e tillë nuk ishte e mundur, por zhvillimet përfunduan ndryshe.
Ai ka theksuar se Provimi i Jurisprudencës do të mund të jepet në gjuhën shqipe, pavarësisht kundërshtimeve të ZNAM-it.
“Për të drejtat e shqiptarëve pyetet VLEN-i e jo ZNAM-i”, ka shkruar Azizi.
Në fund të reagimit, deputeti i VLEN-it ka kritikuar edhe retorikën politike të ZNAM-it, duke vlerësuar se deklaratat shoviniste nuk mund ta ringjallin një parti që ai e konsideron të vdekur politikisht, por vetëm sa e thellojnë rënien e saj.