Mbi 6 mijë ushtarë të NATO-s do të marrin pjesë në dy stërvitje të mëdha ushtarake në Lituani, të drejtuara nga Gjermania, të cilat nisën më 6 nëntor dhe do të zgjasin deri më 3 dhjetor 2026. Stërvitjet, të koduara “Freedom Shield 26-II” dhe “Grand Eagle 26”, përfshijnë njësi të rëndësishme të ushtrisë gjermane, mes tyre Brigadën e 45-të të Blinduar “Lietuva” dhe Brigadën e 37-të të Këmbësorisë së Mekanizuar “Freistaat Sachsen”, të cilat janë pjesë e Divizionit të 10-të të Blinduar të Gjermanisë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, në manovra do të angazhohen gjithashtu trupa të Brigadës Shumëkombëshe të NATO-s në Lituani, me pjesëmarrjen e ushtarëve nga Holanda, Norvegjia, Republika Çeke, Kroacia, Belgjika dhe Luksemburgu, si dhe forcat e armatosura lituaneze. Stërvitjet do të zhvillohen në dy poligone ushtarake, Rudninkai dhe Gjeneral Silvestras Zukauskas.
Objektivi kryesor është rritja e gatishmërisë luftarake, përmirësimi i planifikimit operacional dhe forcimi i koordinimit mes forcave aleate. Gjatë kësaj periudhe do të ketë edhe lëvizje të konsiderueshme të trupave dhe mjeteve ushtarake në rrugët e Lituanisë, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për mundësi vonesash të përkohshme në qarkullim. Dy stërvitjet zhvillohen në një periudhë kur NATO po vijon forcimin e pranisë dhe kapaciteteve të saj mbrojtëse në krahun lindor të Aleancës.