Universiteti i Tetovës dhe Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim (HERA) kanë
nënshkruar Memorandum bashkëpunimi, me qëllim të krijimit të një partneriteti strategjik dhe
zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta në fushën e psikologjisë, administratës publike dhe
shkencave sociale, me fokus të veçantë në dhunën me bazë gjinore, përfshirjen sociale dhe
mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në këtë kuadër, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, së bashku me
Prorektorin për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, dekanen e Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Sheruze
Osmani-Ballazhi, si dhe udhëheqësen e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe
Deari-Zeqiri, pritën në takim Drejtoren Ekzekutive të HERA-s, Mila Caroska.
Memorandumi parasheh bashkëpunim në krijimin e një qendre këshillimore për shëndetin mendor,
organizimin e praktikave studentore dhe punëtorive edukative, mbështetjen e institucioneve
shëndetësore, si dhe realizimin e projekteve dhe hulumtimeve të përbashkëta.
Përmes këtij bashkëpunimi, palët synojnë të fuqizojnë partneritetin akademik dhe profesional, të
promovojnë mirëqenien e të rinjve dhe të kontribuojnë në avancimin e përfshirjes sociale dhe
mbrojtjen e të drejtave të njeriut.



