Në Republikën e Kosovës, punëtorët e sektorit hekurudhor të ndërmarrjes publike “Infrakos” kanë hyrë në grevë duke lënë qytetarët pa mundësinë e shfrytëzimit të trenave për transport, raporton Anadolu.
Punëtorët të cilët hynë në grevë nga kjo e hënë po kërkojnë rritje pagash në përputhje me pozitat dhe përgjegjësitë e tyre, në një kohë kur ky sektor në Kosovë po përballet me probleme infrastrukturore dhe vonesa në realizimin e investimeve.
Hysen Nikqi nga Këshilli Grevist i Infrakosit ka thënë se pakënaqësitë janë shtuar pas rritjes së pagës minimale në 500 euro, nga korriku i këtij viti, pasi pagat e punëtorëve të tjerë nuk janë rritur në mënyrë proporcionale.
Kjo, sipas Nikqit, ka bërë që dallimet në paga ndërmjet punonjësve me kualifikime dhe përgjegjësi të ndryshme të ngushtohen ndjeshëm.
Ndërmarrja Infrakos ka rreth 200 punëtorë ndërsa Nikqi theksoi se ata do ta vazhdojnë grevën deri në përmbushjen e kërkesave.
Greva e gjen transportin hekurudhor të udhëtarëve në Kosovë me vetëm një linjë aktive, atë Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas, e cila realizon dy udhëtime në ditë në secilin drejtim.