Një ofertë promocionale për qebapë me vetëm 1 euro ka shkaktuar kaos në qytetin e Dortmundit në Gjermani, ku qindra persona u mblodhën para një dyqani për të përfituar nga çmimi i ulët. Por ajo që nisi si një radhë e gjatë klientësh, përfundoi në përplasje të dhunshme me policinë.
Sipas pronarit të biznesit, rreth 1,000 persona ishin mbledhur të dielën jashtë dyqanit të tij, duke pritur për të blerë donerin me çmimin promocional. Megjithëse ai kishte angazhuar edhe roje sigurie për të menaxhuar turmën, situata doli shumë shpejt jashtë kontrollit.
Fillimisht, mes personave që prisnin në radhë nisën përplasjet dhe debatet, ndërsa tensionet u përshkallëzuan deri në ndërhyrjen e forcave të policisë. Por edhe mbërritja e efektivëve nuk arriti ta qetësonte situatën. Përkundrazi, disa prej personave të pranishëm nisën të sulmonin policët duke hedhur shishe, gurë, fishekzjarre, një skuter
Për shkak të përmasave që morën trazirat, policia kërkoi përforcime. Në vendngjarje u angazhuan rreth 100 efektivë, ndërsa për monitorimin e situatës u përdor edhe një helikopter. Gjatë ndërhyrjes u kryen disa arrestime. Mes personave të ndaluar ishte edhe një individ, të cilit iu gjet një armë elektrike. Disa prej të arrestuarve pritet të përballen me akuza për prishje të rendit publik, dëmtim të pronës dhe fyerje.
Ndërkohë, policia nuk ka bërë të ditur nëse ndaj pronarit të dyqanit do të ketë procedime penale. Ai deklaroi se qebapët e mbetur pas incidentit do t’i dhurojë për një organizatë bamirësie në qytet, e cila ndihmon personat e pastrehë.