BOZHINOVSKA MES LIDERËVE BOTËRORË NË COP31: FOKUSI TE TRANZICIONI ENERGJETIK DHE E ARDHMJA E SEKTORIT ENERGJETIK TË MAQEDONISË SË VERIUT
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, është pjesë
e delegacionit shtetëror të kryesuar nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, i cili
po merr pjesë në Samitin e Liderëve në kuadër të Konferencës së 31-të të Palëve të
Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), që po
mbahet në Antalia të Republikës së Turqisë.
Si përfaqësuese e sektorit energjetik të Maqedonisë së Veriut, ministrja Bozhinovska po
merr pjesë në këtë takim ndërkombëtar, ku janë të pranishëm liderë dhe përfaqësues të
lartë nga 191 shtete. Në fokus janë vendimet dhe politikat që do të përcaktojnë ritmin e
tranzicionit global energjetik dhe klimatik. Pjesëmarrja e saj është e rëndësishme për
ndjekjen nga afër të orientimeve të reja ndërkombëtare, shkëmbimin e përvojave me
vendet pjesëmarrëse dhe identifikimin e mundësive për partneritete dhe investime që
mund të mbështesin transformimin e sistemit energjetik të Maqedonisë së Veriut.
Për Maqedoninë e Veriut, kjo çështje ka rëndësi të veçantë në një periudhë kur vendi po
përcakton objektiva ambicioze klimatike: uljen e emetimeve neto të gazeve serrë me të paktën
80 për qind deri në vitin 2035 dhe arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050. Përmbushja e
tyre varet në masë të madhe nga transformimi i sektorit energjetik: rritja e prodhimit nga burimet
e ripërtëritshme, modernizimi i infrastrukturës elektroenergjetike, përmirësimi i efiçiencës së
energjisë dhe garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji.
Prandaj, pjesëmarrja e ministres Bozhinovska në COP31 është një mundësi që prioritetet
kombëtare energjetike të shqyrtohen në kontekstin e politikave globale, teknologjive të reja dhe
mekanizmave financiarë për zbatimin e tyre. Me rëndësi të veçantë janë mbështetja
ndërkombëtare dhe investimet e nevojshme për përshpejtimin e tranzicionit energjetik, duke
siguruar që ndryshimet të jenë ekonomikisht të qëndrueshme dhe të garantojnë siguri për
qytetarët dhe bizneset.
Samiti i Liderëve në Antalia, që mbahet më 11 dhe 12 nëntor, i kushtohet kalimit nga zotimet
klimatike te zbatimi i tyre konkret. Për Maqedoninë e Veriut, pjesëmarrja në këto bisedime është
e rëndësishme për të qenë pjesë e proceseve ku formësohen politikat e ardhshme energjetike
dhe për të shfrytëzuar mundësitë e bashkëpunimit që do të ndihmojnë në zhvillimin më të
shpejtë të një sektori energjetik më të pastër, më të sigurt dhe më konkurrues.



