Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar për shtrembërim të qëllimshëm të opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me zbatimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Lloga e ka cilësuar Mickoskin si një “mjeshtër të fake news-eve”, duke theksuar se, njësoj si në rastin e Alta Bankës, kryeministri po përpiqet ta paraqesë ndryshe përmbajtjen e një dokumenti që është publik dhe i qasshëm për të gjithë.

Reagimi i plotë i ish-ministrit Krenar Lloga:

Kryeministri Mickoski është një mjeshtër i fake news-eve. Ai, ashtu si në rastin e Alta Bankës, edhe në rastin e opinionit të Komisionit të Venecias, po e shtrembëron të vërtetën, ndonëse opinioni është publikuar dhe është dokument publik.

PËR ZBATIMIN E GJUHËS SHQIPE DUHET TË SIGUROHEN MJETE FINANCIARE DHE KUADËR PROFESIONAL, gjë që Mickoski dhe VMRO-DPMNE po e sabotojnë prej më shumë se dy vjetësh e gjysmë.

Nëse Kryeministri ka problem me dioptrinë e syzeve gjatë leximit, mund t’i lë një termin për vizitë te dr. Bekim Tateshi.

Më 14-15 mars 2025, Komisioni miratoi dokumentin CDL-AD (2025)013, në përgjigje të kërkesës së Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.

Në paragrafin 52, Komisioni shprehet: Megjithatë, këto janë standarde minimale dhe asgjë nuk i pengon shtetet të garantojnë të drejta më të gjera gjuhësore në procedurat gjyqësore, me kusht që kjo të mos pengojë zbatimin e drejtë të drejtësisë.

Komisioni shton se shteti duhet të sigurojë burime të mjaftueshme financiare për zbatimin e këtyre dispozitave.

Kjo do të thotë se standardet evropiane nuk përbëjnë tavan për të drejtat gjuhësore, por standard minimal. Shteti mund të garantojë më shumë të drejta, në përputhje me Kushtetutën dhe me garantimin e një gjykimi të drejtë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume