Kaos në qiellin amerikan: Mbi 7 mijë fluturime të anuluara, çfarë e shkaktoi ndërprerjen dhe çfarë dihet deri më tani?
Mijëra udhëtarë mbetën të bllokuar në aeroporte, pasi një defekt në sistemin e komunikimit të kontrollit ajror detyroi autoritetet amerikane të ndalonin për disa orë nisjen e fluturimeve në të gjithë vendin. Edhe pse ndalimi është hequr, kaosi në trafikun ajror pritet të vazhdojë.
Një ndërprerje serioze në sistemin e komunikimit të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) ka shkaktuar kaos në trafikun ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke detyruar autoritetet të pezullojnë për më shumë se katër orë nisjen e fluturimeve në të gjithë vendin.
Vendimi për ndalimin e fluturimeve u mor për arsye sigurie, pasi një problem në rrjetin e telekomunikacionit shkaktoi paqëndrueshmëri në sistemet e radarëve dhe komunikimit ndërmjet kontrollorëve të trafikut ajror dhe avionëve.
Si nisi gjithçka?
13.11 · 22:35
“Rrethana të jashtëzakonshme”: Urdhërohet ndërprerja e të gjitha fluturimeve brenda ShBA
Sipas CNN, ndërprerja u shkaktua nga probleme me pajisjet e rrjetit, përfshirë ruterët, të cilët nuk arritën të përballonin ngarkesën e të dhënave. Si pasojë, autoritetet vendosën të ndalonin nisjen e fluturimeve në të gjithë SHBA-në.
Ndalimi u hoq të premten në mbrëmje, rreth orës 20:15 sipas kohës lokale, pasi FAA njoftoi se sistemet ishin rikthyer në funksion.
Megjithatë, normalizimi i trafikut ajror nuk pritet të ndodhë menjëherë.
Mbi 7 mijë fluturime të anuluara, 1.5 milion udhëtarë të prekur
Përmasat e ndërprerjes janë të mëdha. Sipas të dhënave të publikuara nga FlightAware, më shumë se 7 mijë e 700 fluturime brenda SHBA-së, drejt saj apo nga aeroportet amerikane u anuluan të premten, ndërsa mbi 8 mijë të tjera pësuan vonesa.
Ndërkohë, për të shtunën janë raportuar më shumë se 2 mijë anulime të tjera.
CNN, duke iu referuar analizës së kompanisë Cirium, raportoi se rreth 1.5 milion njerëz u prekën nga anulimet dhe ndërprerjet e udhëtimeve.
Sipas raportimeve, të paktën 600 avionë u detyruan të ndryshonin itinerarin, ndërsa udhëtarë të shumtë mbetën të bllokuar në aeroporte dhe brenda avionëve, në pritje të rifillimit të operacioneve.
Duffy: Sistemi i kontrollit ajror përdor teknologji të viteve ‘80
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, fajësoi teknologjinë e vjetruar të sistemit të kontrollit të trafikut ajror për ndërprerjen masive.
Në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me sekretarin e Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, Duffy tha se ruterët dhe pajisjet e vjetra të komunikimit ishin mbingarkuar nga të dhënat, duke shkaktuar pasaktësi në informacionin që përçohej në sistem.
Ai theksoi se infrastruktura e FAA-së ende përdor teknologji të vjetër analoge dhe linja bakri të viteve 1980.