Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj dy blloqeve kryesore politike shqiptare, BDI-së dhe VLEN-it, duke i cilësuar ato si “shërbëtorë të institucioneve maqedonase” informon Tetovasot.

Në një deklaratë publike, Thaçi tha se të dyja subjektet, sipas tij, janë përdorur nga politika maqedonase për interesa të caktuara.

“BDI dhe VLEN janë shërbëtorë të maqedonasve. Janë shërbëtorë të institucioneve maqedonase, të cilët i rekrutojnë sepse duhet t’i përdorin,” deklaroi Thaçi.

Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, për më shumë se dy dekada është përdorur BDI-ja, ndërsa tani po përdoret VLEN-i.

“Për më shumë se 20 vjet e përdorën BDI-në me floskulat politike të z. Ali Ahmeti për integrimin, integrimin… dhe pasi e shtrydhin atë, i përdorin këta të tjerët, VLEN-in,” u shpreh lideri i PDSH-së.

Thaçi nuk kurseu kritikat as ndaj drejtuesve të VLEN-it, për të cilët tha se, sipas tij, kanë pranuar me lehtësi trajtimin nga partnerët e koalicionit qeverisës.

“Për të thënë të drejtën, në historinë e shqiptarëve janë të njohur si individë që me shumë zgerdhirje dhe lehtësi e pranojnë poshtërimin dhe nënçmimin që u bën Mickoski dhe VMRO-ja,” deklaroi Thaçi.

Deklaratat përfaqësojnë qëndrimet politike të Menduh Thaçit dhe vijnë në kuadër të kritikave të tij ndaj partive shqiptare që janë ose kanë qenë pjesë e pushtetit.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume