Akil Gjakova e ka mbyllur me sukses paraqitjen në Grand Prix të xhudos në Zagreb, duke fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Të shtunën mbrëma, xhudisti kosovar triumfoi në luftën për medaljen e bronztë, ku me një hedhje spektakolare siguroi fitoren me Ippon ndaj Anton Shualieievit, i cili përfaqëson Spanjën.
Kjo është një medalje shumë e rëndësishme për Gjakovën, i cili po rikthehet në nivelin më të lartë të xhudos botërore. Me këtë sukses, ai ka fituar edhe 350 pikë të vlefshme në ranglistën botërore.
Akili pati një ditë mjaft të ngarkuar në Zagreb, duke regjistruar katër fitore radhazi përpara gjysmëfinales. Fillimisht, ai mposhti rumunin Lucian Dumitrescu, për të vazhduar më pas me fitoren ndaj ukrainasit Serhii Nebotov.
Në luftën e tretë, Gjakova ishte më i mirë se Karim Abdulaev i Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa në çerekfinale triumfoi edhe ndaj francezit Nathan Cadignan.
Megjithatë, rrugëtimi i tij drejt finales u ndal në gjysmëfinale, ku u mposht nga gjeorgjiani Giorgi Loladze. Kështu, Akili vazhdoi garën për medaljen e bronztë, të cilën në fund arriti ta fitonte.
Në kategorinë deri në 73 kilogramë, të shtunën garoi edhe Dardan Cena, por ai u eliminua që në xhiron e parë, pas humbjes nga kazaku Daniyar Shamshayev.
Ndërkohë, për Kosovën në Grand Prix të Zagrebit debutoi edhe anglezi Luke Davis. Ai garoi në kategorinë deri në 81 kilogramë, por u eliminua në luftën e parë, pasi pësoi nga meksikani Gilberto Cardoso.
Edhe tri xhudiste kosovare kishin garuar të premten në Zagreb, por asnjëra prej tyre nuk arriti të fitonte medalje.