Artan Grubi personalisht e ka nënshkruar vendimin për shitjen e aksioneve shtetërore në “Stopanska banka” – Manastir, si përfundim i një seance të Qeverisë ku kanë marrë pjesë Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Kreshnik Bekteshi.

Pasi gjatë ditëve të fundit opinioni publik pa se si krushku i Ali Ahmetit përmes kompanisë “AS Senjak” kishte marrë kredi prej 5 milionë eurosh drejtpërdrejt nga Beogradi për t’ia shitur më pas aksionet e bankës së Manastirit manjatit serb në paraburgim Davor Macura, sot publikojmë provën e tretë, atë vendimtare.

Një provë që dëshmon se si lidershipi i BDI-së në mënyrë institucionale e kishte hapur rrugën për marrjen nën kontroll të “Stopanska bankës” – Manastir (sot Alta banka Maqedoni).

Para jush janë dy dokumente zyrtare shtetërore:

Procesverbali i seancës së 158-të të Qeverisë të mbajtur më 6 qershor 2023 dhe vendimi i publikuar në “Gazetën zyrtare” nr. 123 të datës 13 qershor 2023.

Ja se si funksiononte makineria shtetërore-partiake e Ali Ahmetit:

Më 6 qershor 2023 mbahet seanca e 158-të e Qeverisë të cilin e bashkëkryesojnë zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe Dimitar Kovaçevski. Në tryezë është ulur i gjithë lidershipi politik dhe ekonomik i BDI-së: ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Nën pikën 5 të rendit të ditës pikërisht në këtë përbërje, shqyrtohet Informacioni për shitjen e aksioneve në pronësi të Agjencisë për menaxhimin e pronës së konfiskuar dhe me konkluzionin nr. 6 merret Vendimi për dhënien e pëlqimit për shitjen e aksioneve shtetërore në “Stopanska banka” SHA Manastir!

Dhe shikoni kush e nënshkruan këtë vendim: në “Gazetën zyrtare” nr. 123 nën Vendimin nr. 41-3733/8 për shitjen e aksioneve të “Stopanska bankës” SHA Manastir, figuron personalisht nënshkrimi i krahut të djathtë të Ali Ahmetit – Artan Grubi!

Të nderuar qytetarë,

Kur bashkohen të tri pjesët e këtij mozaiku i gjithë operacioni milionësh i BDI-së del në dritë:

Së pari: Artan Grubi në prani të Fatmir Besimit, Bujar Osmanit dhe Kreshnik Bekteshit në Qeveri merr vendimin dhe më pas e nënshkruan atë, duke i hapur rrugë nxjerrjes në shitje të aksioneve të konfiskuara shtetërore në “Stopanska bnka” – Manastir.

Së dyti: Në lojë hyn krushku i Ali Ahmetit përmes kompanisë “AS Senjak” i cili blen një pako aksionesh në të njëjtën pra “Stopanska bankën”– Manastir, ndërsa një kompani e lidhur me të tërheq kredi prej 5 milionë eurosh drejtpërdrejt nga selia qendrore e “Alta bankës” në Beograd.

Së treti: Si aksionet shtetërore, shitjen e të cilave e mundësoi me nënshkrimin e tij Artan Grubi, ashtu edhe aksionet private të krushkut të Ali Ahmetit, përfundojnë në duart e Davor Macurës, manjatit kontrovers për marrjen nën kontroll të bankës!

Prandaj sot pyesim drejtpërdrejt Ali Ahmetin, Fatmir Besimin dhe Bujar Osmanin:

Vallë më 6 qershor 2023 kur Artan Grubi nënshkroi vendimin për shitjen e aksioneve shtetërore në “Stopanska banka” – Manastir në lidershipin e BDI-së ishte bërë plani që banka të përgatitej për marrjen nën kontroll nga “Alta banka” e Beogradit?

A ishte roli i Grubit, Besimit dhe Osmanit në Qeveri që institucionalisht t’i lironin aksionet shtetërore për shitje, ndërkohë që rrjeti familjar i Ali Ahmetit përmes “AS Senjak” grumbullonte pako private aksionesh dhe merrte kredi milionëshe nga Beogradi?

Këto dokumente nga “Gazeta zyrtare” dhe procesverbalet e Qeverisë janë dëshmia më e fortë se në rastin e “Alta bankës” nuk bëhet fjalë për transaksione të rastësishme afariste, por për një operacion të koordinuar në të cilin kanë marrë pjesë edhe funksionarët më të lartë shtetërorë të BDI-së edhe familjarë më të afërt të Ali Ahmetit.

I bëjmë thirrje Prokurorisë publike dhe Drejtorisë së inteligjencës financiare që ta zgjerojnë hetimin dhe t’i marrin në pyetje të gjithë ish funksionarët e BDI-së që kanë marrë pjesë në miratimin dhe nënshkrimin e këtyre vendimeve.

Shndërrimi i Qeverisë në shërbim të bizneseve milionëshe të familjes së Ali Ahmetit dhe të manjatëve rajonal duhet të ketë përgjegjësi penale!

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume