Shtetasi maqedonas arrestohet në Beograd: Dyshohet se qëlloi me armë ndaj ish-liderit të tifozëve të Partizanit
Një 19-vjeçar, shtetas i Maqedonisë së Veriut, është arrestuar në Beograd nën dyshimin se ka tentuar të vrasë një ish-udhëheqës të grupit të tifozëve të klubit serb Partizan.
Sipas Prokurorisë së Lartë Publike të Serbisë, ngjarja ka ndodhur më 8 korrik 2025, në rrugën “Narodnih Heroja” në Beograd, ku i dyshuari dyshohet se ka shkrepur disa plumba në drejtim të një personi që ndodhej brenda një automjeti.
Mediat serbe raportojnë se objektiv i sulmit ka qenë ish-lideri i tifozëve të Partizanit, i njohur me nofkën Alibeg.
I riu dyshohet për veprat penale tentativë vrasjeje dhe posedim e mbajtje të paligjshme të armëve. Me urdhër të prokurorisë, atij i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë.
Autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë hollësi për motivet e mundshme të sulmit apo për përfshirjen eventuale të personave të tjerë.