Mundësit e klubit, Liria, kanë siguruar kualifikimin për ndeshjen e medaljes së bronztë në garën ndërkombëtare France Pro League 2026, pas fitores bindëse ndaj klubit Bonneuil Lutte nga Parisi.
Klubi i Mundjes Liria qëndroi për 11 ditë në Francë, duke garuar në disa qytete të vendit në kuadër të kësaj lige private të mundjes. Klubi shqiptar në këtë garë e përfaqësuan disa nga mundësit më të mirë dhe më të njohur në vendin tonë, si Fati Vejseli dhe Rexhep Ajdari. Pjesë e ekipit ishte edhe kampioni nga Shtipi, Dejan Mitrov, i cili iu bashkua Lirisë si përforcim.
Vlen të veçohet paraqitja e shkëlqyer e Muhamed Ferukit, i cili arriti të fitojë disa përballje mjaft të vështira. Edhe mundësi më i ri i ekipit, Sufijan Sinani, dëshmoi talentin dhe potencialin e tij, duke treguar se është një nga shpresat e së ardhmes së mundjes në vendin tonë.
Ndërkohë, Trim Ismaili dhe Muhamed Vejseli treguan formë të mirë, duke regjistruar nga një fitore secili. Tani KM Liria e pret sfida e fundit për medaljen e bronztë, e cila do të zhvillohet më 17 dhjetor në Paris.