Ukraina do të marrë një mbështetje të re financiare nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 7,9 miliardë eurosh, që përfaqëson pagesën më të madhe të veçantë të këtij lloji deri tani. Vendimi i Brukselit vjen pas përmbushjes së më shumë se 20 objektivave reformuese në fusha kyçe, midis të cilave drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Ndihma e re financiare vjen në një periudhë kur Ukraina përballet me deficit buxhetor të rritur për shkak të të ardhurave të ulura tatimore dhe kostove në rritje për mbrojtjen. Midis tyre veçohen pagat e ushtarëve, prodhimi i rritur i dronëve dhe investimet në kërkime për mbrojtje nga dronët rusë “Shahed” dhe raketat balistike.

Nga shuma totale, rreth pesë miliardë euro janë siguruar përmes kredisë së mbështetjes për Ukrainën në vlerë prej 90 miliardë eurosh, e miratuar në prill 2026.

Reformat që ka kryer Kievi përfshijnë disa sektorë, midis të cilave drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, energjia, bujqësia dhe mbrojtja e mjedisit.

Kryeministri ukrainas Serhiy Koretsky njoftoi se me pagesën e re, mbështetja totale që vendi ka marrë këtë vit përmes Instrumentit për Ukrainën arrin 13,57 miliardë euro.

“Kjo është një mbështetje kyçe për ruajtjen e stabilitetit financiar të Ukrainës dhe përmbushjen e nevojave prioritare shtetërore në kushtet e një lufte me shkallë të plotë”, deklaroi Koretsky në rrjetin social X.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i falënderoi kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për angazhimin e saj personal në përshpejtimin e pagesës. Ai theksoi se mbështetja financiare është veçanërisht e rëndësishme para dimrit dhe sulmeve të intensifikuara ruse ndaj infrastrukturës energjetike, sistemeve të ngrohjes, furnizimit me ujë dhe objekteve të tjera kritike.

Pagesat përmes Instrumentit për Ukrainën bëhen në faza dhe janë të kushtëzuara me zbatimin e reformave të dakorduara, në kuadër të përpjekjeve të Kievit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mbështetje financiare shtesë pritet deri në fund të vitit 2027.

Ndërkohë, vendet anëtare të BE-së po negociojnë planin e ri buxhetor shumëvjeçar, në të cilin pritet të përfshihet ndihmë e konsiderueshme për Ukrainën. Udhëheqësit e Unionit në takimin e planifikuar për 26 dhe 27 nëntor do të diskutojnë edhe mundësinë e një kredie shtesë prej 45 miliardë eurosh për Kievin.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume