Me rastin e Ditës Botërore të Foshnjave të Lindura Para Kohe, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, së bashku me drejtoreshën e Klinikës Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, prof. dr. Irena Aleksioska Papestiev, dhe udhëheqësen e Departamentit të Kujdesit dhe Terapisë Intensive, dr. Elizabeta Petkovska, prezantuan përparimin në fushën e kujdesit shëndetësor neonatal, si dhe prioritetet për periudhën e ardhshme.

Motoja e këtij viti është: „Foshnja të vogla, potencial i madh. Investoni në kujdesin e vazhdueshëm për të mbrojtur të ardhmen e tyre!”

Në mars të vitit 2026, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), UNICEF-i dhe UNFPA-ja vlerësuan se ky përbën përmirësimin më të madh në mbijetesën e fëmijëve të regjistruar në nivel global. Sipas të dhënave të UNICEF-it për vitin 2024, vdekshmëria neonatale ishte 1,05, vdekshmëria foshnjore 2,26, ndërsa vdekshmëria e fëmijëve deri në moshën pesëvjeçare ishte 2,8 për 1.000 lindje të gjalla. Për krahasim, mesatarja e Bashkimit Evropian për vdekshmërinë foshnjore në vitin 2024 ishte 3,5 për 1.000 lindje të gjalla. Analiza e pavarur e Shoqatës për Hulumtime dhe Analiza (ZMAI), e realizuar në kuadër të projektit Converge2EU, mat shkallën e përafrimit të vendit me Bashkimin Evropian në fusha të veçanta.
-„Kishte një qëllim të qartë, një program për realizimin e tij dhe mbështetje që vazhdoi përtej një mandati. Kur këto tri elemente bashkohen, sistemi shëndetësor i Maqedonisë arrin rezultate të nivelit botëror. Ky nuk është sukses i një reparti të vetëm, por një model që mund të përcillet dhe të zbatohet edhe në institucione të tjera”, deklaroi ministri Klekovski.

Në nivel botëror, çdo vit lindin para kohe rreth 13,4 milionë foshnja, përkatësisht afërsisht një në dhjetë të porsalindur. Në vendin tonë, rreth 9 deri në 10 për qind e foshnjave lindin para përfundimit të javës së 37-të të shtatzënisë, shifër kjo që është mbi mesataren evropiane.

-Ulja e vdekshmërisë, theksoi ministri Klekovski, nuk nënkupton edhe uljen e shkallës së lindjeve të parakohshme. Për këtë arsye, fokusi po zhvendoset drejt parandalimit, identifikimit në kohë të shtatzënive me rrezik dhe kujdesit për shëndetin e gruas para dhe gjatë shtatzënisë.

-Në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, në periudhën nga 1 janari deri më 31 tetor 2026, janë realizuar 3.266 lindje dhe kanë ardhur në jetë 3.216 të porsalindur të gjallë, prej të cilëve 610, ose 19 për qind, kanë lindur para kohe. Përqindja më e lartë në krahasim me mesataren në nivel shtetëror vjen si rezultat i faktit se Klinika është qendër terciare referente në nivel kombëtar, ku referohen shtatzënitë me rrezik nga i gjithë vendi, deklaroi drejtoresha Aleksioska Papestiev.

Ajo shtoi se prioritetet për periudhën e ardhshme janë: parandalimi dhe identifikimi i hershëm i shtatzënive me rrezik; ndjekja e vazhdueshme e rritjes dhe zhvillimit të foshnjave pas daljes nga spitali, përmes kontrolleve të specializuara të qasshme dhe ndërhyrjes së hershme; si dhe mbështetja e prindërve përmes informimit në kohë, mbështetjes psikologjike dhe përfshirjes aktive të tyre në kujdesin ndaj fëmijës.

Dr. Petkovska, udhëheqëse e Departamentit të Kujdesit dhe Terapisë Intensive pranë Klinikës së Gjinekologjisë, theksoi se në këtë repart, në kuadër të kujdesit zhvillimor për foshnjat e lindura para kohe dhe të porsalindurit me rrezik të lartë, zbatohet metoda kangur, e cila mundëson kontaktin e drejtpërdrejtë lëkurë më lëkurë ndërmjet nënës dhe foshnjës.
Gjithashtu, në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për ushqyerjen ekskluzive me gji dhe ushqyerjen e hershme me qumësht gjiri, në Klinikë funksionon edhe laktariumi, ku nënat nxjerrin qumështin e gjirit për foshnjat e tyre gjatë gjithë periudhës së qëndrimit në spital.

Dita Botërore e Foshnjave të Lindura Para Kohe, këtë vit, shënohet për herë të parë më 15 nëntor. Pas më shumë se një dekade të shënimit të saj më 17 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përcaktoi datën e re, duke e përfshirë zyrtarisht këtë ditë në kalendarin e saj, vendim ky i mbështetur nga Asambleja Botërore e Shëndetësisë në vitin 2025, me qëllim shmangien e përputhjes me Ditën Botërore për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume