Khvicha Kvaratskhelia, ylli i Paris Saint-Germain nga Gjeorgjia, ka zbuluar se kush ishte idhulli i tij në futboll, duke folur për rolin e madh që babai i tij luajti në formimin e karakterit dhe karrierës së tij, përpara se ai të bëhej një nga yjet më të mëdhenj të futbollit në botë dhe të arrinte suksese të jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve.

Në një intervistë të gjatë për revistën franceze “GQ”, Kvaratskhelia foli për fillimet e tij në futboll.

Ai tregoi se modeli i tij i parë ishte babai, Badri, ish-futbollist që më vonë u bë trajner.

Si fëmijë, ai shikonte vazhdimisht incizimet e ndeshjeve të babait të tij, duke ëndërruar të bëhej një futbollist si ai.

Duke folur për të atin, Kvaratskhelia tha: “Në atë kohë YouTube nuk ekzistonte siç ekziston sot, prandaj i shikoja vazhdimisht xhirimet e ndeshjeve të tij, të cilat i kishte incizuar nëna ime. Ai ishte një futbollist i jashtëzakonshëm, me goditje shumë të fuqishme nga distanca. Në një rast kishte shënuar tre gola në një ndeshje kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Doja të bëhesha si ai”.

Por vetëm shikimi nuk mjaftonte. Shumë shpejt, ai nisi të luante futboll me shokët në rrugët e Gjeorgjisë, në fusha të rrethuara nga ndërtesa të larta banimi, ku fqinjët i ndiqnin ndeshjet nga dritaret e tyre.

Kvaratskhelia shpjegoi se ky ambient e ndihmoi të zhvillonte aftësitë e tij: “Në Gjeorgji kemi fusha të rrethuara nga ndërtesa në të gjitha anët, pak a shumë si në Brazil. Kur luan, të gjithë dalin në dritare për ta shikuar ndeshjen. Nuk ke zgjidhje tjetër, duhet të bësh diçka të veçantë”.

Edhe Cristiano Ronaldo pati ndikim të madh tek ai. Kvaratskhelia zbuloi se shembulli i yllit portugez e kishte frymëzuar, veçanërisht sa i përket punës së palodhshme dhe zhvillimit të fizikut.

Në akademinë e Dinamo Tbilisit, gjeorgjiani e pati të vështirë të binte në sy.

Fiziku i tij i imët nuk e lejonte të ngjitej në grupmoshat më të vjetra, prandaj ai i shtoi përpjekjet, duke marrë Ronaldon si model.

Duke kujtuar atë periudhë, ai tha: “Në fillim ishte jashtëzakonisht e vështirë, por kur i mbusha 16 vjet, fillova të luaja me ekipin e parë”.

Rruga drejt yjeve nuk ishte aspak e lehtë. Ai u transferua te skuadra gjeorgjiane Rustavi, më pas kaloi një periudhë te Lokomotiv Moska, por nuk arriti ta bindte klubin rus dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloi në bankën rezervë, përpara se të kthehej në Gjeorgji.

Rubin Kazan i dha një mundësi të re.

Aty u bë titullar i rregullt, fitoi masë muskulore dhe mahniti tifozët e futbollit rus me aftësinë për t’i dribluar kundërshtarët dhe për të depërtuar drejt portës. Ai u shpall futbollisti më i mirë i ri i kampionatit në dy sezone radhazi.

Megjithatë, vështirësitë nuk përfunduan me periudhën e tij të parë në Rusi. Pavarësisht paraqitjeve mbresëlënëse me Rubin Kazanin, klubet e mëdha evropiane nuk nxituan ta transferonin.

Ish-trajneri i Gjeorgjisë, Willy Sagnol, zbuloi se ishte përpjekur t’ua ofronte lojtarin disa klubeve evropiane, por ishte përballur me rezerva të çuditshme. Disa prej tyre madje dyshonin nëse ai mund të përshtatej me futbollin e Evropës Perëndimore, vetëm për shkak se ishte gjeorgjian.

Kur shpërtheu lufta mes Rusisë dhe Ukrainës në vitin 2022, ai u largua nga Rubin Kazan dhe u kthye në vendlindje, ku iu bashkua Dinamo Batumit. Në 11 ndeshje me këtë skuadër, shënoi tetë gola dhe regjistroi dy asistime.

Kvaratskhelia e cilëson atë periudhë si më të rëndësishmen e karrierës së tij: “Ata ishin dy muajt më të rëndësishëm të gjithë karrierës sime futbollistike”.

Gjeorgjia u bë trampolina drejt majave të futbollit evropian. Napoli e transferoi për rreth 10 milionë euro dhe ai ndihmoi skuadrën italiane ta fitonte titullin e kampionit në sezonin 2022/23, duke fituar nofkën “Kvaradona”, si referencë për legjendën e klubit, Diego Maradona.

Më pas erdhi Paris Saint-Germain, që në janar të vitit 2025 pagoi një shumë që vlerësohet rreth 70 milionë euro për transferimin e tij.

Ai u shndërrua shpejt në një nga lojtarët kryesorë të skuadrës në rrugëtimin evropian, duke e ndihmuar atë ta fitonte Ligën e Kampionëve në dy sezone radhazi dhe duke u shpallur lojtari më i mirë i edicionit 2025/26.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume