Jennifer Lopez ka prekur një temë me të cilën shumë prindër mund të identifikohen. Këngëtarja 57-vjeçare ka rrëfyer emocionet e vështira që përjetoi kur dy fëmijët e saj binjakë u larguan nga shtëpia për të nisur studimet në universitet.
Gjatë një interviste më 15 nëntor në emisionin “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, J.Lo tregoi se e kishte përjetuar shumë këtë ndryshim në jetën e saj si nënë.
“Qava për gjashtë muaj rresht, që nga dy muaj para diplomimit të tyre, deri kur i përcolla në universitet dhe disa javë pas kësaj”, rrëfeu ajo.
Këngëtarja, e cila ka binjakët 18-vjeçarë Max dhe Emme nga martesa me Marc Anthony, pranoi se ende e ka të vështirë të besojë se fëmijët e saj janë rritur kaq shpejt.
“Ata shkuan në universitet. Është çmenduri. Ende kam në telefon një foto të tyre kur ishin bebe dhe i mbaja në prehër. Koha kalon kaq shpejt, ashtu siç të thonë të gjithë”, u shpreh Lopez.
Ajo tregoi se kjo periudhë ka sjellë një përzierje emocionesh, mes trishtimit për largimin e fëmijëve nga shtëpia dhe entuziazmit për kapitullin e ri që po nis në jetën e tyre.
Por largimi i fëmijëve ka shënuar edhe një fazë të re për vetë Jennifer Lopez. Pas divorcit nga Ben Affleck, të finalizuar në shkurt të vitit 2025, këngëtarja tha se për herë të parë pas shumë vitesh po mëson të jetojë vetëm.
“Jam vetëm. Jam e lirë. Mund të bëj çfarë të dua. Është diçka e mrekullueshme, por edhe e çuditshme”, u shpreh ajo.
Pavarësisht sfidave emocionale, Lopez e përshkroi këtë periudhë si një nga fazat më të shëndetshme të jetës së saj, duke e cilësuar si një tjetër fillim të ri.