Siç raporton “MARCA”, Ferland Mendy ka arritur një shifër aspak të dëshiruar në karrierën e tij te Real Madridi, pasi mbrojtësi i majtë 31-vjeçar të martën ka shënuar 1.000 ditë mungesë për shkak të lëndimeve.
I transferuar nga Olympique Lyon në verën e vitit 2019, reprezentuesi francez ka qenë një futbollist i besuar për të gjithë trajnerët që kanë drejtuar “Los Blancos” që nga atëherë.
Megjithatë, lëndimet dhe problemet fizike kanë bërë që ai të mungojë plot 1.000 ditë gjatë shtatë viteve të tij te klubi madrilen.
Problemet e vazhdueshme fizike të Mendy nisën që në sezonin e tij të parë te Real Madridi, kur mungoi për 65 ditë. Në katër sezonet pasuese, ai regjistroi mungesa prej 123, 89, 90 dhe 97 ditësh.
Shifra u rrit ndjeshëm në sezonin 2024/25, kur mungoi për 250 ditë, ndërsa gjatë sezonit 2025/26 dhe edicionit aktual ka munguar gjithsej 286 ditë. Në këtë sezon ai ende nuk ka regjistruar asnjë paraqitje.
Në total, Mendy ka pësuar 22 lëndime që nga transferimi i tij te Real Madridi në vitin 2019. Lëndimi i fundit, të cilin e pësoi më 3 maj, ka rezultuar të jetë më i gjati në karrierën e tij te klubi spanjoll.
Mendy ka një kohë që është rikthyer në stërvitje me bashkëlojtarët, por ende nuk është përfshirë në listën e të ftuarve për ndonjë ndeshje të La Ligës. Po ashtu, mosregjistrimi i tij në listën e Real Madridit për Ligën e Kampionëve ia ka pamundësuar rikthimin edhe në garat evropiane.
Sezoni më i mirë i Mendy për nga numri i paraqitjeve mbetet ai 2020/21, kur luajti në 38 ndeshje. Një shifër relativisht modeste për një klub si Real Madridi, ku kalendari zakonisht përfshin më shumë se 50 ndeshje dhe mund të kalojë edhe 60 takime në një sezon të ngarkuar.
Ndonëse Real Madridi tashmë është mësuar me mungesat e gjata të Mendy, francezi 31-vjeçar vazhdon të jetë një figurë e respektuar brenda klubit.
Siç është përmendur, reputacioni i tij te bashkëlojtarët dhe trajnerët ka qenë gjithmonë shumë i mirë, pavarësisht problemeve të shpeshta fizike.
Në veçanti, Carlo Ancelotti ishte një prej përkrahësve më të mëdhenj të Mendy te Real Madridi. Italiani e kishte cilësuar në disa raste si mbrojtësin e majtë më të mirë në botë në aspektin defensiv dhe kishte insistuar fuqishëm për rinovimin e kontratës së tij deri në vitin 2028.
Për momentin, Mendy është rikthyer në stërvitje me Real Madridin dhe po pret mundësinë e tij të parë nën drejtimin e Jose Mourinhos.
Mbrojtësi francez është prapa Marc Cucurellas dhe Alvaro Carreras në hierarkinë e skuadrës, ndërsa mbetet të shihet nëse dhe kur do t’i jepet mundësia të luajë për Real Madridin gjatë këtij sezoni.
Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia e largimit të tij në afatin kalimtar të janarit.