Real Madridi ka konfirmuar se një tifoz është dënuar për abuzim racist ndaj Kylian Mbappes gjatë fitores 3-0 të klubit ndaj Real Oviedos në La Liga, në ndeshjen e zhvilluar më 24 gusht 2025 në stadiumin “Carlos Tartiere”.
Klubi ka bërë të ditur se Seksioni i Dytë i Gjykatës Provinciale të Asturiasit ka shqiptuar një dënim prej 11 muajsh burgim ndaj tifozit për krimin e urrejtjes.
Ky është një tjetër rast i dënimit penal në kuadër të luftës kundër racizmit në futbollin spanjoll.
Megjithatë, ekzekutimi i dënimit me burg është pezulluar me kusht që i dënuari të mos frekuentojë stadiumet ku zhvillohen gara zyrtare sportive për një periudhë prej dy vitesh.
Vendimi përfshin gjithashtu një gjobë financiare dhe masa të tjera ndaluese.
Po ashtu, të dënuarit i ndalohet t’i afrohet Mbappes, si dhe i ndalohet ushtrimi i disa profesioneve që lidhen me edukimin, sportin dhe aktivitetet e kohës së lirë.
Incidenti kishte ndodhur gjatë vizitës së Real Madridit në Oviedo, kur nga tribunat ishin drejtuar gjeste dhe tinguj racistë ndaj sulmuesit francez, i cili në atë ndeshje kishte shënuar dy gola.
Real Madridi kishte marrë pjesë në procedurë si palë akuzuese private, duke vazhduar kështu veprimet ligjore që klubi ka ndërmarrë ndaj rasteve të abuzimit racist kundër futbollistëve të tij.
Në komunikatën zyrtare, klubi madrilen ka ritheksuar qëndrimin e tij kundër këtij fenomeni.
“Real Madridi, i cili ka vepruar si palë akuzuese private në këtë rast dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe në raste të tjera të ngjashme, riafirmon përkushtimin e tij në luftën kundër racizmit dhe eliminimin e çdo sjelljeje raciste në futboll dhe sport”, thuhet në komunikatë.
Ky dënim i bashkohet rasteve të mëparshme të abuzimit racist ndaj futbollistëve të Real Madridit në stadiumet “Mestalla”, “Son Moix”, “Vallecas” dhe “Jose Zorrilla”.
Fatkeqësisht, bëhet fjalë për dënimin e 12-të të suksesshëm të arritur nga La Liga në rastet që lidhen me abuzimin racist në futbollin spanjoll.
Dënimi i parë ishte shqiptuar në qershor të vitit 2024, kur tre persona u dënuan me nga tetë muaj burgim për fyerjet raciste ndaj Vinicius Juniorit gjatë ndeshjes mes Valencias dhe Real Madridit në “Mestalla”.
Ata gjithashtu u dënuan me ndalim dyvjeçar të hyrjes në stadiume dhe u obliguan t’i paguanin shpenzimet gjyqësore.
Rastet e tjera kanë përfshirë abuzime raciste ndaj Antonio Rudiger, Aurelien Tchouameni, Samuel Chukwueze dhe sulmuesit të Athletic Club, Inaki Williams.