Ministri i Drejtësisë, dr. Jeton Shasivari, në ditën e dytë të Konferencës së Dytë Globale Ministrore për Eliminimin e Dhunës ndaj Fëmijëve, që po mbahet në Manila të Filipineve, në emër të Qeverisë prezantoi zotimet konkrete për avancimin e mbrojtjes ligjore dhe institucionale të fëmijëve nga të gjitha format e dhunës.
Në fjalimin e tij para përfaqësuesve ndërkombëtarë, ministri Shasivari riafirmoi përkushtimin e Qeverisë për ndërmarrjen e masave konkrete që do të forcojnë parandalimin, do të përmirësojnë reagimin institucional dhe do të sigurojnë mbrojtje më efektive për fëmijët e ekspozuar ndaj dhunës.
Ndër zotimet prioritare që prezantoi ministri janë ndalimi ligjor i martesave para moshës 18-vjeçare, forcimi i mbrojtjes ligjore nga dhuna fizike dhe digjitale, si dhe krijimi i shërbimeve të specializuara për fëmijët viktima të dhunës.
Vëmendje e veçantë iu kushtua parandalimit të dhunës në shkolla dhe funksionalizimit të ekipeve ndërsektoriale në të gjitha Qendrat për Punë Sociale, me qëllim identifikimin në kohë të rreziqeve, veprimin e koordinuar të institucioneve dhe sigurimin e mbështetjes së duhur për çdo fëmijë që ka nevojë për mbrojtje.
Ministri prezantoi gjithashtu zotimet për krijimin e një sistemi të unifikuar për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe zhvillimin e mekanizmave më efikasë për mbrojtjen e fëmijëve në kontakt me sistemin e drejtësisë. Këto masa synojnë të mundësojnë koordinim më të mirë institucional, ndjekje të rasteve dhe veprim në kohë në interesin më të mirë të fëmijës.
Shasivari theksoi se zotimet ndërkombëtare duhet të shoqërohen me zgjidhje konkrete ligjore dhe mekanizma funksionalë institucionalë.
Sipas ministrit, përgjegjësia e Ministrisë së Drejtësisë nuk përfundon me pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare, por vazhdon përmes përgatitjes së ligjeve më të mira, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe krijimit të kushteve për mbrojtje reale dhe të qasshme për çdo fëmijë.
Ministri Shasivari theksoi se asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur dhe se mbrojtja e fëmijëve nga dhuna përbën jo vetëm detyrim ligjor, por edhe përgjegjësi morale dhe shtetërore.


