Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) u bën thirrje prindërve, kujdestarëve, mësimdhënësve dhe opinionit publik që të jenë veçanërisht të kujdesshëm ndaj grupit të njohur si “764”, një komunitet i rrezikshëm online, anëtarët e të cilit shënjestrojnë fëmijët, të miturit dhe personat e tjerë të cenueshëm, me qëllim manipulimin, frikësimin dhe detyrimin e tyre për të kryer veprime të rrezikshme dhe të dhunshme.

Për seriozitetin e kësaj dukurie paralajmërojnë edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), e cila grupin “764” e lidh me komunitete më të gjera të ekstremizmit të dhunshëm nihilist dhe grupe të ngjashme.

Si funksionon grupi “764”?

Anëtarët e këtij grupi veprojnë përmes rrjeteve sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe platformave të lojërave online, si Discord, Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X, Minecraft dhe Fortnite.

Zakonisht, ata krijojnë kontakte me fëmijët duke u prezantuar si bashkëmoshatarë ose si persona të interesuar për miqësi apo lidhje emocionale. Pasi fitojnë besimin e tyre, fillojnë manipulimet, kërcënimet dhe shantazhet.

Viktimat detyrohen të dërgojnë fotografi dhe video intime, të vetëlëndohen, të ushtrojnë dhunë ndaj personave të tjerë ose kafshëve, madje edhe të ndërmarrin veprime që mund të rrezikojnë jetën e tyre.

Materialet e siguruara më pas përdoren si mjet për frikësim, shantazh dhe kontroll të mëtejshëm mbi viktimat.

Cilat janë shenjat që duhet t’i vërejnë prindërit?

MPB u bën thirrje prindërve që të kenë kujdes ndaj ndryshimeve të mundshme në sjelljen e fëmijëve, si:

* Ndryshime të papritura në sjellje, izolim, frikë, shqetësim ose nervozizëm;
* Fshehtësi e shtuar gjatë përdorimit të telefonit ose kompjuterit;
* Komunikim intensiv me persona të panjohur përmes rrjeteve sociale dhe lojërave online;
* Pranimi i mesazheve kërcënuese, shantazheve ose kërkesave për dërgimin e fotografive dhe videove;
* Lëndime të pashpjegueshme, prerje ose gërvishtje;
* Shprehje të dëshpërimit ose biseda për vdekjen dhe vetëvrasjen.

Nga MPB theksojnë se këto ndryshime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se fëmija është viktimë e këtij grupi, por nuk duhet të injorohen. Është i nevojshëm komunikimi i hapur me fëmijën dhe reagimi në kohë në rast dyshimi për abuzim.

Si t’i mbrojmë fëmijët?

Prindërit duhet të bisedojnë rregullisht me fëmijët për aktivitetet e tyre në internet, të interesohen se me kë komunikojnë dhe çfarë përmbajtjesh ndjekin.

Gjithashtu, fëmijët duhet të informohen për rreziqet e shpërndarjes së të dhënave personale, fjalëkalimeve, fotografive dhe videove intime me persona të panjohur.

Është veçanërisht e rëndësishme që fëmijët ta dinë se nëse dikush i shantazhon, i frikëson ose i manipulon, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë nga prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit ose institucionet kompetente. Ata nuk duhet të ndihen fajtorë apo të kenë frikë të raportojnë rastin.

Ku mund të raportohen aktivitetet e dyshimta?

Çdo dyshim apo informacion lidhur me aktivitetet e grupit “764” ose grupeve të tjera të ngjashme të dhunshme online mund të raportohet në Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB-së, në adresën elektronike:

[email protected]

Në rast se posedojnë informacione, prindërit duhet të ruajnë mesazhet, emrat e përdoruesve, lidhjet dhe të dhënat e tjera relevante. Nuk duhet të përballen drejtpërdrejt me personat që bëjnë kërcënime dhe as të ndërmarrin veprime që mund të rrezikojnë më tej sigurinë e fëmijës.

MPB thekson se mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi online është përgjegjësi e përbashkët dhe se identifikimi në kohë i rrezikut, komunikimi i hapur me fëmijët dhe raportimi i aktiviteteve të dyshimta mund të parandalojnë pasoja të rënda dhe të shpëtojnë jetë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume