TikTok ka prezantuar një funksion të ri të quajtur “Zbulimi i Ngjashmërisë” (Similarity Detection), i cili synon të ndihmojë krijuesit e përmbajtjes dhe figurat publike të identifikojnë dhe raportojnë videot e gjeneruara nga inteligjenca artificiale që përdorin imazhin e tyre pa pëlqimin e tyre.

Mjeti i ri, për të cilin kompania njoftoi të premten, është pjesë e përpjekjeve për të luftuar përhapjen e dezinformimit dhe përmbajtjeve të rreme të krijuara nga inteligjenca artificiale në platformë.

Funksioni synon veçanërisht figurat publike, përfshirë anëtarët e qeverive, politikanët dhe llogaritë e partive politike, të cilat mund të jenë objekt i videove të manipuluara ose deepfake-ve.

Përdoruesit që plotësojnë kriteret për t’u regjistruar në këtë program duhet të verifikojnë identitetin e tyre përmes një partneri të besuar të palës së tretë. Pas regjistrimit, ata do të marrin njoftime në rastet kur përmbajtje apo llogari në TikTok mund të përdorin ngjashmërinë e tyre.

Më pas, përmes këtij funksioni, përdoruesit mund të shqyrtojnë materialet e identifikuara dhe t’i raportojnë drejtpërdrejt te ekipet e sigurisë së TikTok, të cilat do të vendosin për veprimet e mëtejshme.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Evropa po përballet me rritjen e fushatave të dezinformimit të krijuara përmes inteligjencës artificiale, veçanërisht në proceset zgjedhore. Me nëntë vende evropiane që pritet të zhvillojnë zgjedhje gjatë 12 muajve të ardhshëm, identifikimi i përmbajtjeve të manipuluara konsiderohet një sfidë e rëndësishme.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin e rregullave të transparencës për inteligjencën artificiale, në kuadër të Aktit të IA-së, duke përfshirë detyrimin për etiketimin e përmbajtjeve të gjeneruara ose të manipuluara me këtë teknologji.

TikTok ka ndërmarrë edhe më herët masa kundër deepfake-ve, duke kërkuar që krijuesit të identifikojnë dhe etiketojnë imazhet, audiot dhe videot realiste të prodhuara nga inteligjenca artificiale.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume