Pas shumë vitesh përpjekje, angazhim dhe përkushtim institucional, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka arritur të sigurojë lejen për ndërtimin e Objektit të ri Administrativ në pronën e saj, në afërsi të Kalasë së Shkupit.

Angazhimi i vazhdueshëm i Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i përkrahur maksimalisht nga Myftitë me Myftinitë e tyre, të gjitha organet e saja, Fakulteti i Shkencave islame, Medreseja Isa Beu, stafi i Rijasetit, imamët dhe besimtarët të cilët me përkushtim, përgjegjësi dhe këmbëngulje ndër vite kanë punuar për realizimin e këtij synimi.

Koha moderne kërkon infrastrukturë moderne, kushte bashkëkohore pune dhe shërbime institucionale që u përgjigjen nevojave të kohës. Në këtë frymë, objekti i ri administrativ do të jetë një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të kapaciteteve institucionale të BFI-së. Ai do të ofrojë hapësira të përshtatshme për drejtoritë dhe njësitë tjera administrative, duke ndërthurur arkitekturën bashkëkohore me funksionalitetin, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve.

Duke qenë se kjo e arritur është rezultat i një angazhimi, ndiejmë obligim institucional dhe moral që të shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjithë ata që kontribuan në këtë proces, në periudha dhe rrethana të ndryshme.