Nico Pazit i thuhet se është “pasardhësi i Lionel Messit” nga nëna e legjendës së fanellës me numrin 10
Është zbuluar se nëna e Lionel Messit i ka thënë Nico Pazit se është “pasardhësi” i djalit të saj në kombëtaren e Argjentinës, ndërsa 22-vjeçari shihet si favoriti për ta trashëguar fanellën me numrin 10.
Messi i dha fund karrierës së tij me Kombëtaren në ndeshjen e fundit miqësore kundër Beninit, më 7 tetor, në një moment tejet emocionues për tifozët dhe familjarët e tij.
Në atë moment nisi gara për të gjetur pasardhësin e duhur dhe lojtarin që do ta merrte përsipër fanellën ikonike me numrin 10 të “Albicelesteve”.
Sipas xhaxhait të Nico Pazit, Fabian Paz, vendimi tashmë është marrë nga nëna e Messit, Celia Cuccittini.
“Nico është një person shumë i qetë, shumë modest. Ai nuk e ka futur në kokë idenë se është pasardhësi i Messit”, ka thënë xhaxhai i tij për “Radio La Red” në Argjentinë.
“Vetëm fakti që arriti ta njihte atë, të ishte bashkëlojtar i tij dhe të qëndronte pranë tij ishte diçka e jashtëzakonshme. Megjithatë, pas ndeshjes së fundit të Messit, Nico u takua rastësisht me nënën e tij, e cila ishte shumë e emocionuar. Nico tregoi se ajo iu afrua për t’ia shtrënguar dorën dhe i tha: ‘Ti je pasardhësi i djalit tim’ në lombëtaren e Argjentinës”, tha ai tutje.
22-vjeçari tashmë shihet si favoriti për ta trashëguar fanellën me numrin 10. Ai ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë dy asistime në 16 paraqitje me ekipin e parë të Argjentinës.
Pas paraqitjeve të shkëlqyera te Como, raportohet gjerësisht se Real Madrid synon ta aktivizojë klauzolën e riblerjes prej 80 milionë eurosh për lojtarin gjatë verës së ardhshme.
Deri më tani këtë sezon, Nico Paz ka kontribuar me gjashtë gola dhe tetë asistime në 14 ndeshje për Comon, në Serie A dhe Ligën e Kampionëve.