“Mund ta vrasin shqiptarët e t’ia hedhin fajin palës serbe”, deklaratat për Rada Trajkoviqin në vitin 2022 e çojnë Sheshelin në polici
Lideri i Partisë Radikale Serbe (SRS), Vojislav Sheshelj, ka bërë të ditur se është thirrur në polici për një intervistë informative, me kërkesë të Prokurorisë së Parë Themelore.
Sheshel ka deklaruar se policia e ka vizituar mbrëmjen e kaluar në shtëpinë e tij për t’ia dorëzuar ftesën, duke e paralajmëruar se në rast të mosparaqitjes do të dërgohej me forcë në stacionin policor.
Ai ka bërë të ditur se sot është paraqitur në stacionin policor “29 Nëntori”, ku ka dhënë deklaratë.
Sipas mediave në Serbi, lideri radikal është thirrur në polici për shkak të deklaratave që kishte bërë lidhur me Radа Trajkoviqin.
Ai kishte bërë deklarata për Radа Trajkoviqin në nëntor të vitit 2022, gjatë një paraqitjeje në televizionin Pink, duke pretenduar se ajo mund të përballej me një rrezik të ngjashëm me atë të Oliver Ivanoviqit.
Konkretisht, Sheshel kishte thënë se ‘autoritetet shqiptare në Kosovë mund ta emëronin Trajkoviqin në një post ministrore, pastaj ta vrisnin dhe t’ia atribuonin vrasjen Beogradit’.
Më vonë, ai i kishte cilësuar fjalët e tij si paralajmërim, duke mohuar se kishte pasur qëllim ta kërcënonte apo t’i rrezikonte jetën Trajkoviqit.
Trajkoviq kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij në vitin 2022, duke shprehur shqetësim për sigurinë e saj.
Sheshel, themelues dhe kryetar i SRS-së, është dënuar përfundimisht nga Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare me dhjetë vjet burgim për krime kundër njerëzimit.
Dënimi lidhej me një fjalim të mbajtur në maj të vitit 1992, përmes të cilit ai kishte nxitur dëbimin dhe persekutimin e kroatëve nga fshati Hrtkovci në Vojvodinë. /Nova