Xhiroja e parafundit e Superligës së Maqedonisë për pionierët e ka lënë gjithçka të hapur. Askush nga pretendentët kryesorë për titull nuk arriti të fitojë dhe gara për kurorën e kampionit mbetet e hapur deri në 90 minutat e fundit të sezonit informon Tetovasot.

Shkëndija e Tetovës barazoi me Teteksin, Pelisteri nuk shkoi më shumë se një barazim ndaj Shkupit, ndërsa Skopje pësoi humbje nga Rabotniçki, duke bërë që diferencat në krye të mbeten të afërta.

Megjithatë, në Tetovë rezultati ishte vetëm një pjesë e historisë.

Emocionet pushtuan stadiumin që në çastet e para të takimit. Trajneri i Shkëndijës U16, Ismail Ismaili, doli në fushë me një bluzë të bardhë me fotografinë e të ndjerit Agron Memedi, njeriut që kishte qenë pjesë e kësaj gjenerate. Menjëherë më pas, futbollistët, stafet dhe të pranishmit mbajtën një minutë heshtje. Ishte një moment prekës, me lot në sy dhe dhimbje që e bëri futbollin të kalonte në plan të dytë.

Kur topi nisi të rrotullohej, Shkëndija tregoi pse është një nga skuadrat më të mira të kampionatit. Kuqezinjtë dominuan pjesën më të madhe të ndeshjes, krijuan shumë raste të pastra shënimi, por fati nuk ishte në anën e tyre. Edhe Teteksi zhvilloi një paraqitje shumë të mirë dhe luftoi deri në fund për çdo top.

Shkëndija pati mundësinë ideale për ta fituar ndeshjen, por nuk arriti të realizojë as nga pika e bardhë, duke lënë të ikte një fitore që do ta afronte shumë me titullin.

Sikur të mos mjaftonte kjo, kuqezinjtë mbetën edhe me një futbollist më pak pas kartonit të kuq, çka e vështirësoi edhe më shumë misionin.

Drama nuk u ndal këtu.

Sulmuesi Leard Salihi, një nga lojtarët më të mirë të këtij sezoni, realizoi golin e Shkëndijës dhe fitoi penalltinë që mund ta kishte vendosur sfidën. Por pak më vonë ai u largua nga fusha me një dëmtim të rëndë, që pritet ta mbajë jashtë fushave për një periudhë të gjatë. Një goditje e rëndë jo vetëm për futbollistin, por edhe për skuadrën në momentin më vendimtar të kampionatit.

Gara mbetet plotësisht e hapur dhe Shkëndija U16 vazhdon ta ketë fatin në duart e saj, me shpresën se ndeshja e fundit do t’i shpërblejë për gjithçka kanë treguar gjatë këtij sezoni.Ndoshta futbolli ia mohoi Shkëndijës fitoren këtë javë.

Por nuk ia mori krenarinë.

Sepse ka ditë kur tabela tregon vetëm rezultatin.

Ndërsa zemra tregon fituesin.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume